Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar që Kosova e Serbia t’u japin zbatim obligimeve të papërmbushura nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel. Si përgjegjësi të Kosovës, ai ka numëruar pranimin e draftstatutit të ofruar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe
Në prag të përfundimit të mandatit si lehtësues evropian për dialogun Kosovë-Serbi, diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, ka theksuar se të dyja shtetet kanë një listë të gjatë të obligimeve të papërmbushura që kanë buruar nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel.
Ai, në një intervistë për median e pavarur serbe “Nova”, ka bërë thirrje që si Kosova ashtu edhe Serbia të shënojnë përparim drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes bazë, pa vonesa e parakushte.
Si përgjegjësi të Kosovës, ai e ka numëruar pranimin e draftstatutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të ofruar nga Bashkimi Evropian.
“Përgjegjësitë e palëve janë të qarta: i takon Kosovës që të iniciojë procedurën për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe të pranojë projekt-statutin evropian, kurse i takon Serbisë që paralelisht të përmbushë obligimet e saj të shumta, duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve – që parashihet me planin e renditjes së hapave të implementimit”, ka thënë Lajçak. “Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të maten vetëm në bazë të progresit në zbatim – e jo në bazë të veprimeve apo deklaratave publike të palës tjetër. Topi është në oborrin e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që të fillojnë përmbushjen e asaj për çfarë kanë rënë dakord”.
Me përmbajtjen e draftstatusit të ofruar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin, kryeministri Albin Kurti pati thënë se është pajtuar në parim, porse këtë nuk e ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
E Lajçak është shprehur i bindur se si Kurti ashtu edhe Vuçiqi kanë mandate të fuqishme për të marrë vendime të vështira politike që i kërkon dialogu.
“Të dy liderët kanë qartazi kuptime shumë të ndryshme për atë se çfarë do të thotë normalizim dhe është e qartë se kjo është një çështje shumë e ndjeshme nga pikëpamja politike. Mirëpo, është e qartë se në fund as njëri dhe as tjetri nuk do të marrin 100 për qind të asaj që dëshirojnë”, ka thënë emisari evropian. “Për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve, nevojiten kompromise dhe fleksibilitet, si dhe vizion strategjik dhe sjellje prej burrë shteti për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është ajo që BE-ja pret që liderët të dëshmojnë”.
Lajçak e vlerësoi marrëveshjen bazë, si juridikisht të detyrueshme dhe si kusht kyç për avancimin e Kosovës dhe të Serbisë drejt BE-së.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka për objektiv hapjen e rrugës drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin dhe për këtë arsye presim implementimin e plotë dhe të pakushtëzuar, pa vonesë, të të gjitha dispozitave të saj. Teksti i Marrëveshjes është i qartë, ndaj është shumë e qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja palët. BE-ja ka rikujtuar shumë herë se Marrëveshja në tërësi është e detyrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Prandaj, çdo mungesë implementimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të të dyja palëve, por edhe e dëmton reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe të sigurt”, ka thënë ai. “Më lejoni të përsëris atë që BE-ja njoftoi me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes në mars, në fakt se është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të mëdha të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë marrë përsipër”.
Diplomati sllovak do ta mbajë postin e emisarit të posaçëm të dialogut deri më 31 gusht, pas së cilës datë do ta marrë detyrën e ambasadorit të BE-së në Zvicër. Si pasues i mundshëm i tij në dialog është përmendur ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili ka njoftuar se është duke e përgatitur një dokument për të ardhmen e procesit.