Dinari

Lajçak: Është ngushtuar hendeku mes palëve

Miroslav Lajçak 5 mars 2024

Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë, 5 mars 2024

Foto: Alban Bujari

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, Lajçak ka thënë se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur që ta ngushtojnë hendekun lidhur me këtë temë.

Por ka shtuar se për dallimet të cilat vazhdojnë të mbesin ende, do të ketë edhe një takim mes kryenegociatorëve në Bruksel.

“Nga Bosnja u ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një mes në lidhje me të ashtuquajturën ‘çështje të dinarit’. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta ngushtojmë hendekun. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, ka shkruar ai në Facebook.

Të enjten e javës së kaluar në Bruksel janë zhvilluar takime mes Lajçakut dhe dy kryenegociatorëve, por zgjidhje nuk ka pasur.