Arbëri

Kuvendit i dorëzohet peticioni “për shpëtimin e arsimit”

Përfaqësues të Rrjetit të katërmbëdhjetë organizatave të shoqërisë civile (ROSCAP) ia kanë dorëzuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca peticionin me 12 mijë e 526  nënshkrime të mbledhura për gjashtë muaj, me të cilin synojnë të iniciojnë disa ndryshime ligjore, për, siç thanë, “shpëtimin e arsimit”.

Agon Ahmeti, drejtor në organizatën “ETEA”, ka theksuar se sistemi arsimor është në krizë të thellë.
“Ky moment është dëshmi e forcës së qytetarëve, shoqërisë civile dhe të gjithë atyre që ndihen të përgjegjshëm për të ardhmen e vendit. Krejt kjo, sepse arsimi është në krizë të thellë dhe kjo nuk është një krizë e momentit, por një problem që është thelluar vit pas viti, duke lënë pas dore dhe duke u degraduar nga qeveritë e pasluftës në Kosovë”, ka thënë ai. 

Peticioni që nisi në mars të këtij viti, u kritikua nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo e quajti nismë të padobishme për sistemin arsimor. 

Deklaratës së Nagavcit, e dhënë në maj të këtij viti, iu kundërpërgjigjën organizatorët të mërkurën, kur e dorëzuan peticionin. 

Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë në organizatën “Toka”, ka thënë se nënshkrimet e dhëna nga qytetarët janë dëshmi se peticioni është i dobishëm. 

“Sot nuk kemi përgjigje, e kemi një pyetje për ministren Nagavci. A mendon ende që nënshkrimet e 12.526 qytetarëve të Republikës së Kosovës janë të padobishme dhe ne mendojmë që jo, mesazhi për Kuvendin sot është 12.526, nëna, baballarë, gjyshër, ish-nxënës, studentë dhe shumë punëtorë të arsimit e kanë nënshkruar këtë peticion se mendojnë se arsimi duhet shpëtuar, situata është urgjente, kohë nuk kemi për të humbur, puna duhet të fillojë sot”, ka thënë ajo.

Kërkesat e peticionit që u dorëzua në Kuvend janë: Hartimi i projektligjit për pensionimin e vullnetshëm të parakohshëm të mësimdhënësve të moshës 55 deri 64 vjeç në arsimin parauniversitar, amendamentimi i nenit 5 dhe nenit 13 të Ligjit Nr. 04/L-032 për arsim parauniversitar, ashtu që t’i obligojë institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për riorganizimin e të gjitha shkollave me më pak se 60 nxënës, si dhe kërkesa e tretë është amendamentimi i nenit 33 të Ligjit Nr. 04/L-032 për arsim paraunivesitar, duke shtuar dispozita për vlerësimin vjetor të aftësive dhe njohurive të mësimdhënies për të gjithë mësimdhënësit.

Për disa nga problemet në arsim që është duke u kërkuar ndërhyrje urgjente, KOHA ka raportuar edhe më herët. 

Plani për riorganizimin e shkollave është duke u zhvilluar në intensitet të ulët. Nga 78 shkolla, sa ishte e planifikuar të mbylleshin vitin e kaluar për shkak se numërojnë numër të vogël të nxënësve, janë mbyllur vetëm 8 sosh. 

E, rreth 25 për qind e mësimdhënësve në Kosovë i përkasin moshës 55-64 vjeç. Përmes peticionit, këto organizata kërkojnë ofrim të mundësisë për pensionim të parakohshëm, që sipas tyre ndihmon në zvogëlimin e tepricës së mësimdhënësve në Kosovë, kursimin e burimeve dhe hapjen e rrugës së një brezi të ri. Në vend llogariten se janë rreth 2 mijë mësimdhënës tepricë.

E çështja e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve ende nuk ka filluar. Deri më tani llogaritet se rreth 750 mësimdhënës i janë nënshtruar vlerësimit të performancës. Ky proces është zhvilluar nga viti 2018 deri më 2020, kur është ndërprerë për shkak të pandemisë.

Ministria e Arsimit vitin e kaluar ka miratuar pakon me udhëzime administrative për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, si dhe rilicencimin e tyre. Nga ky legjislacion mësimdhënësit kanë tri lloje të licencave – atë të karrierës, të avancuar dhe licencën e përhershme.

Sipas Ministrisë së Arsimit, procesi për t’u pajisur me këto licenca pritet të nisë këtë vit. 

Licencën e karrierës mund ta marrë çdo mësimdhënës që kalon me sukses vlerësimin e performancës nga shkolla. Mësimdhënësi vlerësohet nga drejtori i shkollës, nga mësimdhënësit e tjerë dhe nga nxënësit, e më pas edhe nga Inspektorati i Arsimit. Kjo licencë ka afat shtatë vjet dhe duhet të ripërtërihet, pasi që mësimdhënësi i mban së paku 100 orë për zhvillim profesional. 

E pas kësaj, mund të aplikojë për licencë të avancuar. Për të marr këtë licencë, mësimdhënësit do t’i nënshtrohen një provimi kualifikues. Shtatë vjet pasi ta marrin këtë licencë, mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencën e përhershme, e cila nuk ka afat kohor dhe nuk ka nevojë për ripërtëritje.