Deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të hënën seancën plenare, në të cilën do të shqyrtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Para seancës, në orën 11:00, do të mbahet mbledhja e kryesisë, në të cilën do të caktohet seanca e radhës. Në seancën e sotme e cila nis në orën 12:00, janë paraparë të shqyrtohen 20 pika të rendit të ditës.

Rendi i ditës:

Rendi i ditës: 
8.    Shqyrtimi i propozimit të gjashtë (6) deputetëve nga GP të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
9.    Zgjedhja e tre (3) drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut,
10.    Emërimi i anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve,
11.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-317 për aderim në “Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja në çështje civile apo tregtare”,
12.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-318 për aderim në “Konventën për marrjen e provave jashtë vendit në çështje civile apo tregtare”,
13.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-319 për aderim në “Konventën për zgjedhjen e marrëveshjeve gjyqësore”,
14.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-312 për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç,
15.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-315 për banim social dhe të përballueshëm,
16.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor,
17.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-322 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
18.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-316 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit,
19.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,
20.    Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit nr.06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur,
21.    Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-034,
22.    Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,
23.    Shqyrtimi i Propozimit të shtatë (7) deputetëve nga radhët e komuniteteve tjera që nuk janë shumicë, për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bahrim Shabani,
24.    Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2023,
25.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023,
26.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2023,
27.    Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për periudhën kohore, prej 4 korrik 2024 deri në përfundim të mandatit të tij.

Lekaj: Nuk është Radiotelevizioni i Kosovës, por Radiotelevizioni i Kurtit

5 muaj më parë / 4 nën 2024 13:58
Pal Lekaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, e ka akuzuar partinë në pushtet për kapje të Radiotelevizionit publik. 

Sipas tij, tash e katër vjet nuk është Radiotelevizioni i Kosovës, por Radio Televizioni i Kurtit. 

Ai theksoi se duhet të shkarkohet bordi i RTK-së dhe se sipas tij, asnjëherë transmetuesi publik nuk ka qenë më i kontrolluar.

Lekaj tha se partia në pushtet shkarkoi padrejtësisht bordin e RTK-së në vitin 2021.

“Kurrë RTK-ja nuk ka qenë më e dobët. Po ju rikujtojmë që kurrë RTK-ja nuk ka qenë më e kontrolluar nga politika dhe Lëvizja Vetëvendosje. Po ju rikujtojmë që kurrë raportet e auditimit se kanë nxjerr më keq RTK-në se në qeverinë Kurti. Po ju rikujtojmë që kurrë punëtorët e RTK-së s’kanë qenë më të nëpërkëmbur e pa të drejtat e tyre. Po ju rikujtojmë që kurrë gratë punëtore të RTK-së s’kanë pasur më shumë presion, gjuhë kërcënuese dhe seksiste. Po ju rikujtojmë që RTK-ja nuk po punon me program të vet por me program të Lëvizjes Vetëvendosje... Po ju rikujtojmë që RTK është televizioni i propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk është i qytetarëve të Kosovës. Po ju rikujtojmë që katër vjet nuk është Radioteleviozioni i Kosovës por është Radiotelevizioni i Kurtit ”, ka thënë Lekaj. /KSP

Gashi: Shkak i ndërhyrjes së LVV-së në RTK, u shkatërrua besimi

5 muaj më parë / 4 nën 2024 13:51
Arben Gashi

Photo: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se partia në pushtet e ka shkatërruar besimin ndaj Radiotelevizionit publik. Për këtë arsye, Gashi tha se kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në programacionin e transmetuesit publik.

Në seancë plenare ku po diskutohet për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së, ai theksoi se transmetuesi publik do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve.

“Radio Televizioni i Kosovës dështoi që të ofronte shërbimin e vet si institucion publik, dhënien e lajmit dhe programacionit në interes publik. Si rezultat i këtij dështimi, politizimi dhe kapje nga LVV dhe personi kontrollues që kontrollohet nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës mori vendim dhe refuzoi çdo pjesëmarrje në debate dhe emisione të RTK-së në institucion publik. Duke pasur parasysh se ky institucion është institucion publik dhe ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik, pra është pronë e qytetarëve të Kosovës do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve të Kosovës. Kur si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së, kapjes së bordit, kapjes së politikës redaktuese dhe dhënies së lajmeve të pavërteta u dëmtua interesi publik, u politizua institucioni, u shkatërrua besimi, ne refuzuam të jemi pjesë e kësaj ndërmarrje”, deklaroi Gashi, raportoi KSP.

Shefi i deputetëve të LDK-së shtoi se RTK-ja “prodhoi informacione të rrejshme kundër kolegëve të tyre”. 

Deputetët e Vetëvendosjes lëshojnë seancën e Kuvendit

5 muaj më parë / 4 nën 2024 12:50
Deputetët e VV-së

Photo: Driton Paçarada

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallën e Kuvendit ku po mbahet seanca për shqyrtimin e 20 pikave të rendit të ditës.

Teksa po shqyrtohej pika e parë, propozimi i gjashtë deputetëve nga Grupi Parlamentar i PDK-së për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, deputetët e pushtetit që ishin në sallë, lëshuan seancën. 

Gjatë kësaj pike, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se RTK-ja nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik “derisa nuk merren masa ndaj menaxhmentit të saj. Kërkojmë të merren masa për shkarkimin e secilit anëtarë të Bordit të RTK-së”.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, kryetar i Komisionit për Media, tha se RTK-ja nuk është kapur nga ta. 

“Dyshimet mbi financimin e mediave nuk janë fake news, janë shqetësim real. Brenga e PDK-së është se janë përmendur mediumet private që ia mbajnë vijën dhe ja shtyjnë politikat. RTK-në nuk e kemi kapur ne, por e kemi çkapur nga ju”, ka thënë ai.