Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pa nënkryetarin e PDK-së, Haxhiu e shpall të konstituuar Kuvendin

Dhjetë ligje në një seancë

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka konstatuar të konstituuar legjislaturën e XI të Kuvendit të Kosovës, pasi janë zgjedhur nënkryetarët nga radhët e LDK-së, të komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe. Nga LDK-ja u zgjodh Kujtim Shala, ndërsa nga radhët e komunitetit serb u zgjodh Tanja Vujoviq. E nga radhët e komuniteteve tjera u zgjodh Emilia Rexhepi.

Në këtë seancë Haxhiu tha se përkundër thirrjeve të sërishme që Partia Demokratike e Kosovës të marrë pjesë në seancë, dhe atë për herë të tretë, deputetët e kësaj partie s’gjenden në seancë. Ajo tha se rrjedhimisht, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vazhdohet me votimet e nënkryetarëve tjerë pasi nuk mundet askush ta mbajë peng konstituimin.

PDK-ja para fillimit të seancës njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seanca tjera dhe se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu në një letër drejtuar Haxhiut tërhoqi përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.

Po ashtu në seancë nuk morën pjesë as deputetët e Aleancës dhe disa deputetë nga LDK-ja. 

Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë u certifikua më 8 korrik. Afati 30 ditor për konstituim të Kuvendit pas certifikimit u kalua. 

Seanca konstituive u vazhdua nga kryesuesi Avni Dehari, vetëm pak ditë pasi u njoftua se VV dhe LDK-ja arritën marrëveshje që Bekim Sejdiu të jetë kandidat konsensual për president, ndonëse 6 deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta votojnë Sejdiun.

Vazhdimi i seancës u bë më 9 shtator, gjatë të cilës Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit. 

Cakolli: Një seancë konstituive juridikisht e kontestueshme mund të prodhojë pasoja të pariparueshme

1 min. më parë / 13 sht 2026 12:48
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se është e domosdoshme që çështja e konsituimit të Kuvendit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe atje të përcaktohen edhe pasojat për shkeljet. 

Cakolli ka thënë se një seancë konstituive juridikisht e kontestueshme mund të prodhojë pasoja të pariparueshme edhe për procedurat kushtetuese që vijnë më pas. 

“Prandaj, ka qenë dhe mbetet e domosdoshme që krejt kjo situatë të referohet sa më parë në Gjykatën Kushtetuese. Jo vetëm për me i konstatu shkeljet, por edhe për me i përcaktu pasojat e tyre dhe me e ndërpre këtë praktikë të hajgareve me afatet strikte kushtetuese – e rrjedhimisht, edhe me institucionet. Tash nevoja për një aktgjykim të Gjykatës është edhe më e madhe, sepse një seancë konstituive juridikisht e kontestueshme mund të prodhojë pasoja të pariparueshme edhe për procedurat kushtetuese që vijnë më pas”, ka shkruar Cakolli në Facebook. 

Cakolli ka thënë se nëse mospropozimi i nënkryetarit nga PDK-ja në dy vazhdime të seancave konstatohet si bazë për “mosushtrim të së drejtës së propozimit”, atëherë çfarë të bëhet me faktin që po aq herë nuk ishte propozuar kryetari i Kuvendit e po ashtu shkeljen e afatit 30-ditor. 

“Nëse mospropozimi i nënkryetarit në dy vazhdime të seancës konsiderohet bazë për me konstatu “mosushtrimin e së drejtës së propozimit”, atëherë çka me i bo faktit që po aq herë nuk ishte propozuar as Kryetari i Kuvendit – duke çu madje edhe në shkeljen e afatit kushtetues 30-ditor për konstituim? Ose, çka me e konsideru mosvazhdimin e seancës konstituive për javë të tëra, sipas tekeve të kryesuesit, përkundër afatit procedural prej 48 orësh?” – ka shkruar Cakolli.
 

Kurti: U bë mirë që u konstituua Kuvendi, nënkryetari i dytë i takon PDK-së

23 min. më parë / 13 sht 2026 12:25
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se u bë mirë që u konstituua Kuvendi. 

Kurti e cilësoi këtë si një arritje dhe tha se do të jenë të gatshëm ta votojnë edhe Vlora Çitakun për nënkryetare kur PDK-ja do të jetë në Kuvend.

“U bë mirë u konstiuua. Nënkryetari i dytë i Kuvendit i takon PDK-së. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku ne menjëherë do ta votojmë. Urime konstituuimi. Përafërsisht tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit u  konstituua Kuvendi. E dini se vitin e kaluar u deshën 8 muaj nga zgjedhjet të konsituuohet Kuvendi. Nga tetë tash e kemi sjellë në tre muaj. Do të ishte më mirë të bëhej më herët. Urime gjithëve është e arritur kjo. Tash duhet të vazhdojmë me formim e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit për [farë e kemi marrëveshjen me LDK-në”, tha Kurti. 

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e konsideroi të konstituuar Kuvendin pa nënkryetar nga radhët e PDK-së. 
 

Behrami reagon pasi Vujoviq u zgjodh nënkryetare e Kuvendit: A s’qenka Lista Serbe më parti terroriste?

55 min. më parë / 13 sht 2026 11:54
Artan Behrami

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar pasi që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në shumicë votuan të dielën Tanja Vujoviqin e Listës Serbe si nënkryetare të Kuvendit të Kosovës. 

“Koalicioni VV–Lista Serbe! Qysh tash? Lista Serbe nuk qenka më parti terroriste, a? Sot i amnistuan? Çka i thoni familjes së Afrim Bunjakut? Të dashur votues të VV-së, a po e shihni që Albin Kurti juve ju jep vetëm sovranitet simbolik, ndërsa serbëve sovranitet real? Juve këngëtarë tallava në veri, serbëve autonomi territoriale! Mos i besoni më!” – ka shkruar Behrami në Facebook. 

Po ashtu ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Në një postim në Facebook ajo e ka quajtur “spektakël politik” votimin e të dielës në Kuvend.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, Tanja Vujoviq nga Lista Serbe ishte e pranueshme për nënkryetare të Kuvendit, ndërsa Vlora Çitaku, nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe ambasadorja më e suksesshme e Kosovës në SHBA - JO. Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, në koordinim me Listën Serbe, orkestruan edhe një raund të shëmtuar populizmi, me votime të destinuara për të dështuar, vetëm për spektakël politik.  Shihemi pas të 16-it dhe, natyrisht, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese!” – ka shkruar Deliu-Kodra. 

E po ashtu ka reaguar edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku. Ai ka thënë se “pak nga pak po bie maska e patriotizmit të rremë”.

“Sot votova KUNDËR propozimeve të Listës Srpska për nënkryetar të Kuvendit. Vetëvendosja votoi PRO kandidatit të Listës Srpska. Mirë që, pak nga pak, po ju bie maska e patriotizmit të rremë. Kur vjen puna te pushteti, patriotizmi i tyre paska afat përdorimi”, ka shkruar Sadiku.


 

Haxhiu: Kuvendi u konstituua, pozita për nënkryetarin e PDK-së mbetet e rezervuar

1 o. më parë / 13 sht 2026 11:47
albulena Haxhiu

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar përmes një postimi në Facebook se Kuvendi i Kosovës është konstituuar.

Ajo ka thënë se pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së mbetet ende e paplotësuar.

“Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin”, ka shkruar ajo.

Tutje ka thënë se kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për të dhe se sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të.

“Sot u konstituua Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke i hapur rrugë hapit të radhës, formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. I uroj nënkryetarët e zgjedhur të Kuvendit dhe i falënderoj të gjithë deputetët që ishin të pranishëm në sallë dhe që e ushtruan përgjegjësinë e tyre institucionale përmes votës. Institucionet duhet të funksionojnë. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe procesi i funksionalizimit të plotë të institucioneve duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme”, ka shkruar ajo.

Xhemaili i Aleancës: Asgjë s’e dallon Vujoviqin nga Simiqi, ka deklarata skandaloze ndaj Kosovës

1 o. më parë / 13 sht 2026 11:36
Aleanca

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se Tanja Vujoviq e Listës Serbe, që u zgjodh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë dallim nga Slavko Simiqi. 

Vujoviq u zgjodh të dielën si nënkryetare me 62 vota për. Paraprakisht s’kaluan kandidaturat e Slavko Simiqit, Igor Simiqit, Serxhan Popoviqit, Liljana Stevanoviqit, Branislav Nikoliqit, Jovana Radosavleviqit, Milan Joksimoviqit dhe Zlatan Elekut. 

Vujoviq u votua me shumicën e votave të deputetëve të Vetëvendosjes. 

“Asgjë, bash hiç asgjë nuk e dallon Tanja Vujoviqin nga Sllavko Simiqi. Që të dy janë nën të njëjtën komandë direkte të Beogradit dhe që të dy kanë mision sabotimin e shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Xhemaili. “Çdokush që kërkon në internet mund t’i gjejë deklaratat skandaloze të Vujoviqit, e cila hapur e quan Kosovën ‘Metohi’, deklaron se punon vetëm për sistemin e Serbisë dhe e krahason situatën në veri me ‘sundimin osman’. Dallimi i vetëm është se Simiqi i ka luftuar institucionet tona brenda Kuvendit, ndërsa Vujoviq, si dekane e strukturave ilegale, i ka luftuar ato fuqishëm edhe nga jashtë, publikisht madje”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Aleancës e ka akuzuar Vetëvendosjen se votimi i sotëm dëshmon mungesë të parimeve dhe vijave të kuqe politike.

“Ata i rrëzuan emrat e parë vetëm për t’u shitur ‘patriotizëm’ militantëve në rrjete sociale, përpara se të dorëzoheshin për të votuar saktësisht të njëjtën agjendë të Listës Serbe”, ka deklaruar Xhemaili.

E deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në një postim në Facebook tha se “Lista Serbe qenka disiplinuar”.

“Lista Serbe qenka disiplinuar. Paska hequr dorë nga gjuha jokushtetuese. Nuk kalon gjuha ‘në emër të popullit serb’, por nuk kalon as Simiqi. Vendosmëria jonë, është mbrojtje e Republikës”, ka shkruar Rrustemi.
 

Murati beson se disa deputetë të LDK-së do ta ndryshojnë qëndrimin për president

1 o. më parë / 13 sht 2026 11:18
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati ka thënë se Kuvendi u konstituua në mungesë të një nënkryetari për shkak të refuzimit të grupit parlamentar të PDK-së për të propozuar kandidatin/en e tyre për nënkryetar.

Ka thënë se për javë të tëra PDK-ja ka kërkuar konstituimin e Kuvendit, e sipas tij, në ditën kur u konstitutua, ajo nuk ishte në sallë.

Murati ka deklaruar se janë të përkushtuar për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, pas vendimit të LVV-së për votim të nënkryetarit nga LDK-ja do të ketë ndryshim të qëndrimit të disa deputetëve të kësaj partie për çështjen e presidentit.

Sipas Muratit, nga kjo u pa se sa seriozisht e kishte PDK-ja me çështjen e konstitutimit.

“Për ne në vazhdimësi ka qenë e rëndësishme të zgjidhet çështja e presidentit të Kosovës. Opozita nuk qëndroi në sallë herën e kaluar dhe e dërguan vendin në zgjedhje. Duke dashur ta evitojmë shkuarjen në zgjedhje, LVV-ja ka insistuar që të ketë konsultim paraprak. Në kuadër të kësaj kemi bërë marrëveshje me LDK-në, por nuk është marrëveshje e plotë sepse deputetë të kësaj partie kanë shprehur rezerva sa i përket kësaj marrëveshjes për presidentin”, ka thënë ai.

Murati ka thënë se çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb është e përcaktuar me Kushtetutë.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit dhe jo Lëvizja Vetëvendosje.

Lushaku-Sadriu: Mbështesim secilën iniciativë ligjore që sqaron dilemat sa i përket afateve kushtetuese

1 o. më parë / 13 sht 2026 11:17
Lushaku

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se partia e saj mbështet secilën inicativë ligjore të ndërmarrë për të sqaruar dilemën sa i përket afateve kushtetuese për konstituim të Kuvendit. 

Lushaku-Sadriu ka thënë se janë mbledhur edhe argumente dhe se do t’i dorëzojnë ato në Kushtetuese. 

“Do të kontribuojmë në sqarimin e ligjshmërisë e kushtetuetshmërisë në të gjitha rrethanat”, ka thënë Lushaku-Sadriu. 

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese çështjen e afateve sa i përket konstituimit të Kuvendit. 

Të dielën u konstituua Kuvendi i Kosovës pa nënkryetar të PDK-së. 

Lushaku-Sadriu ka thënë se në seancën e të dielës morën pjesë pas ndryshimit të qëndrimit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryesia e Vetëvendosjes të shtunën mbrëma njoftoi se ka vendosur t’i votojë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën për nënkryetarë të Kuvendit. 

“Është vetëm dëshmi se kur ekziston vullneti politik institucionet bëhen shumë lehtë. Është shumë e vështirë kur një grup parlamentar si Vetëvendosje, me shumë depute6të nuk ka vullnet politik. Por, sot ishte gjendje tjetër dhe u mundësua kuorumi dhe zgjedhja e nënkryetarëve”, ka thënë Lushaku-Sadriu. 

 

Pa nënkryetarin e PDK-së, Haxhiu e shpall të konstituuar Kuvendin

1 o. më parë / 13 sht 2026 10:54
Kuvend

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka konstatuar të konstituuar legjislaturën e XI të Kuvendit të Kosovës, pasi janë zgjedhur nënkryetarët nga radhët e LDK-së, të komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe. Nga LDK-ja u zgjodh Kujtim Shala, ndërsa nga radhët e komunitetit serb u zgjodh Tanja Vujoviq. E nga radhët e komuniteteve tjera u zgjodh Emilia Rexhepi. 

Në këtë seancë Haxhiu tha se përkundër thirrjeve të sërishme që Partia Demokratike e Kosovës të marrë pjesë në seancë, dhe atë për herë të tretë, deputetët e kësaj partie s’gjenden në seancë. Ajo tha se rrjedhimisht, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vazhdohet me votimet e nënkryetarëve tjerë pasi nuk mundet askush ta mbajë peng konstituimin. 

PDK-ja para fillimit të seancës njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seanca tjera dhe se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu në një letër drejtuar Haxhiut tërhoqi përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare. 

Po ashtu në seancë nuk morën pjesë as deputetët e Aleancës dhe disa deputetë nga LDK-ja. 


 

Emilia Rexhepi zgjidhet nënkryetare

1 o. më parë / 13 sht 2026 10:52
emilija

Emilia Rexhepi me 70 vota për dhe 7 abstenime është zgjedhur nënkryetare nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.

Vujoviq e Listës Serbe zgjidhet nënkryetare e Kuvendit

1 o. më parë / 13 sht 2026 10:51
seanca

Me 62 vota për është zgjedhur deputetja e Listës Serbe Tanja Vujoviq për nënkryetare të Kuvendit.

S'ka votë as për Stevanoviqin, Popoviqin, Nikoliqin, Radosavleviqin, Joksimoviq dhe Elekun

2 o. më parë / 13 sht 2026 10:45
Lista Serbe

Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës

As Liljana Stevanoviq, Serxhan Popoviq, Branislav Nikoliq, Jovana Radosavleviq, Millan Joksimoviq dhe Zlatan Elek nuk votohen për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

 

As Igor Simiq s’i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

2 o. më parë / 13 sht 2026 10:42
igor simiq

Photo: Driton Paçarada

As Igor Simiq nuk i ka marrë votat për nënkryetar të Kuvendit.

62 vota ishin kundër dhe tetë për.

Slavko Simiq s’i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

2 o. më parë / 13 sht 2026 10:40
Lista Serbe

Photo: Driton Paçarada

Kandidati i Listës Serbe, Slavko Simiq nuk i ka marrë votat për nënkrytar të Kuvendit. 

65 vota ishin kundër, tetë për dhe dy abstenime.

Kujtim Shala zgjidhet nënkryetar i Kuvendit

2 o. më parë / 13 sht 2026 10:38
seanca

Kujtim Shala është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit me 75 vota për.

Nis vazhdimi i seancës konstituive

2 o. më parë / 13 sht 2026 10:36
seanca

Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive e cila ishte thirrur nga ora 10.

Në seancë janë të pranishëm 82 deputetë, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Listës Serbe dhe disa nga komunitetet.

PDK-ja dhe Aleanca kanë deklaruar se nuk marrin pjesë.

Gjini: VV-ja nga fillimi e ka ndjekur 27 dhjetorin, problem s'ishin Shala, Çitaku e as “populli serb”

2 o. më parë / 13 sht 2026 10:05
Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi e ka ndjekur 27 dhjetorin, datën ku sipas tij, LVV-ja pretendon t’i mbajë zgjedhjet.

Ka shkruar se nuk e kanë pasur problem as Vlora Çitakun, as Kujtim Shalën e as “popullin serb”.

“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhje të presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar. Nuk kanë pasur problem as me Vlora Çitakun as me Kujtim Shalën, as me "popullin serb". Problemi ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin”, ka thënë ai.

Sipas tij, qytetarët e din se kush është mashtrues e manipulator.

“Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

PDK-ja s’merr pjesë në seancë, tërheq përkohësisht kandidaturën e Çitakut, do t'i drejtohet Kushtetueses

2 o. më parë / 13 sht 2026 10:03
PDK

Foto: Arkiv

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seanca deri te një vendim i Gjykatës Kushtetuese. PDK-ja ka thënë se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese, dhe se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. 

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për presidentin apo me marrëveshje të tjera politike. Për këtë arsye, PDK nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën, në një proces ku vazhdimisht ndryshojnë kushtet dhe krijohen pengesa të reja. Edhe pjesëmarrja në një seancë tjetër nuk ofron asnjë garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të paraqiten kërkesa apo kushte të tjera. Partia Demokratike e Kosovës konsideron se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese. Ekspertët e PDK-së janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi”, thuhet në komunikatë të PDK-së. 

PDK-ja ka thënë se deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit. 

“Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”, thuhet nga PDK. 

Partia Demokratike e Kosovës po ashtu ka njoftuar se po e tërheqë përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. 

Në një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të nënshkruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, thuhet se vendimi është marrë "për shkak të shkeljeve të vazhdueshme dhe të përsëritura  të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit".

Sipas Tahirit, PDK-ja kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, pavarësisht skadimit të afatit kushtetues, me qëllim që të kontribuonte në përfundimin e procesit të konstituimit.

“Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua”, thuhet në shkresë.

PDK ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar “vlerësimin dhe sqarimin kushtetues të situatës së krijuar”.

PDK thekson se kjo nuk nënkupton heqjen dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon asaj.

“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në shkresë.
 


 

LVV-ja thotë se lëvizi nga qëndrimi për nënkryetarët për të zhbllokuar ngërçin

2 o. më parë / 13 sht 2026 09:52
Hekuran Murati

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se problemi nuk ka qenë asnjëherë te seanca konstituive, por te çështja e presidentit.

Sipas tij, kjo çështje ishte ajo që e dërgoi vendin në zgjedhje.

Ka shtuar se ka një marrëveshje me LDK-në porse e njëjta nuk po përkrahet nga i gjithë GP i LDK-së.

“Tashmë kemi një marrëveshje me LDK-në por jo të plotë nga ana e grupit të tyre parlamentar. E patë që PDK dhe LDK nuk ishin të interesuar të ndryshojnë kandidatët siç kemi bërë ne kur nuk votohej Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit. Ne ishim të gatshëm që për hir të zhbllokimet të ndryshonim kandidatët disa herë. Ne kemi mbajtur një mbledhje të kryesisë mbrëmjen e kaluar dhe vendosem të vazhdojmë seancën konstituive”, ka thënë ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni ka thënë se LVV-ja ka lëvizur nga qëndrimi i saj për mosvotim të nënkryetarëve të PDK-së e LVV-së, që t’i kontribuojë zhbllokimit.

Ka thënë se uron që deputetët e opozitës të vijnë sot në Kuvend.

Sipas saj, LVV-ja ka vendosur që këta dy emra të votohen në mënyrë që të zhbllokohet seanca.

“Këtu nuk po pëson një subjekt politik por qytetarët e Kosovës dhe një të njëjtën kohë po mbesin pezull proceset e vendit”, ka thënë ajo.