Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës. Për kanë votuar 66 deputetë, 32 kanë votuar kundër dhe 5 kanë abstenuar. Projeksionet janë të njëjta me ato që Qeveria në detyrë i pati përcjellë në Kuvend në tetor të vitit të kaluar.Gjatë shqyrtimit të tij në seancën e mbajtur të premten përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar atë duke thënë se ai nuk i përmban premtimet që kryeministri Albin Kurti i ka dhënë në ekspozenë e tij me rastin e rizgjedhjes. Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka thënë se pasi të dërgojnë në Kuvend programin qeverisës, para deputetëve do ta paraqesin edhe rishikimin e buxhetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBuxheti miratohet në parim, të premten seanca për shqyrtim në lexim të dytë
Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës.
Për projektbuxhetin 4-miliardësh kanë votuar 66 deputetë, 32 kanë votuar kundër dhe 5 kanë abstenuar.
Pas miratimit në parim të buxhetit, shumica parlamentare e ka miratuar edhe propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmanget Rregullorja e Kuvednit dhe buxheti të shqyrtohet në procedurë të përshpejtuar. Shumica ka vendosur që seanca për shqyrtimin e buxhetit në lexim të dytë të mbahet të premten, më 20 shkurt.
Gjatë shqyrtimit të tij në seancën e mbajtur të premten përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar atë duke thënë se ai nuk i përmban premtimet që kryeministri Albin Kurti i ka dhënë në ekspozenë e tij me rastin e rizgjedhjes.
Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka thënë se pasi të dërgojnë në Kuvend programin qeverisës, para deputetëve do ta paraqesin edhe rishikimin e buxhetit.
Tahiri: Buxheti për vitin 2026 nuk i reflekton premtimet e kryeministrit Kurti
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se buxheti për vitin 2026 nuk i reflekton premtimet e kryeministrit Albin Kurti, të bëra në ekspozenë e tij më 11 shkurt.
Ai në seancën e Kuvendit, duke kritikuar buxhetin, tha se i njëjti ka mangësi edhe në investime kapitale, ku 81 për qind e tyre janë projekte të viteve të kaluara.
“Po flasim për një buxhet që nuk reflekton asgjë nga çka është premtuar këtu nga kryeministri në ekspozenë e tij. Çështja e dytë politike ndërlidhet me investimet kapitale. Nëse e shihni me kujdes buxhetin, jemi duke folur për 81 për qind të investimeve kapitale që janë projekte që vazhdojnë, jo që ka iniciativa të reja”, tha ai./KP
Kurti: Fillimisht do ta sjellim në Kuvend programin e Qeverisë, pastaj rishikimin e buxhetit
Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën e tij në seancën e Kuvednit për shqyrtimin në parim të buxhetit për vitin 2026, teksa e ka arsyetuar faktin që e kanë sjellë në Kuvend projektbuxhetin e vjetër që është miratuar në tetor të vitit të kaluar, ka thënë se do ta sjellin për rishikim buxhetin, pasi ta kenë proceduar programin e Qeverisë së re.
Sipas tij në programin e Qeverisë do të përfshihen premtimet që ai i ka dhënë në ekspozenë e tij me rastin e rizgjedhjes.
“Zotimet që i kemi dhënë në fushatën e fundit, natyrisht që janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë më 11 shkurt, kur u rizgjodha kryeministër. Por, para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri, duhet të vijë tek ju programi qeveritar. Pra, do të ishte jo normale të sillnim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë paraprakisht programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave, nga kronologjia, është ky: zotimet në fushatë, ekspozeja e kandidatit për kryeministër, programi i ri qeveritar dhe më pas rishikimi i buxhetit”, ka deklaruar ai.
Pas fjalës së tij Kurti është larguar nga Kuvendi duke thënë se ka një organizim të Bankës Qendror të Kosovës me atë të Shqipërisë.
Abdixhiku: Projektbuxheti bëhet jokushtetues kur injoron kryeqytetin
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2026, duke thënë se ai nuk reflekton strukturën e re qeveritare, zotimet e dhëna dhe, mbi të gjitha, nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.
Në seancën e Kuvendit, ai paralajmëroi se një qasje e tillë e bën dokumentin jokushtetues dhe mund të ndikojë në qëndrimin politik të LDK-së në raport me shumicën parlamentare.
“Të reflektojë strukturën e kabinetit qeveritar, pra të ministrive, që katër ministri të reja të kenë edhe buxhetin e tyre dhe ky buxhet të ndahet jo nga ministri i Financave ministrive të tjera, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. E dyta, buxheti të reflektojë ekspozenë që e prezantoi Kurti ditën e formimit të Qeverisë, në mënyrë që ato zotime të dhëna të mos jenë vetëm fjalë, por të kenë kuptim të vërtetë. Në këtë drejtim, një ekspoze pa buxhet mbetet vetëm një platformë fjalësh të thata, që, duket jo befasueshëm, do të jetë seriozisht rasti këtu”, tha Abdixhiku, raportoi EO.
Sipas tij, buxheti duhet të respektojë edhe parimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, duke përfshirë vendimmarrjen e kryeqytetit për buxhetin e vet.
“Ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jo vetëm e habitshme, por jashtëzakonisht e rëndë që Kuvendit t’i sillet një dokument që nuk e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Dhe, së këndejmi, menjëherë bëhet jokushtetues. Sa për rikujtim, Prishtina, kryeqyteti ynë, e ka miratuar buxhetin e saj më 6 shkurt të vitit 2026. Buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar; kjo është legjislaturë e re e Republikës së Kosovës. Nuk ka asnjë arsye, as ligjore, as logjike, as kushtetuese, që një buxhet nacional të mos marrë parasysh vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Sikurse jemi mbledhur ne këtu në Kuvend për të vendosur mbi diçka, edhe asambleja lokale e kryeqytetit ka shprehur vullnetin e popullit të Prishtinës për ndarjet e buxhetit të vet. Pra, ka vendosur për buxhetin e vet”, theksoi ai.
Abdixhiku paralajmëroi pasoja politike nëse, sipas tij, i mohohet e drejta kushtetuese e kryeqytetit dhe e opozitës.
“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë Kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave shumicë, atëherë edhe LDK-ja do të ridefinojë pozicionin e saj në relacion me çështjet që kërkojnë edhe numrat tonë në këtë Kuvend”, ka shtuar ai.
Bajrami: Qeveria shpenzoi 240 milionë euro në dhjetor, janë korrupsion e kontrata njëburimore
Kritika për buxhetin ka adresuar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo duke u ndal tek shifrat e investimeve kapitale duke thënë se shpenzimet në këtë fushë janë rritur në dhjetor në kohën e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Vetëm në muaj dhjetor Qeveria ka arritur të shpenzojë plot 240 milionë. Këto janë kontrata njëburimore, janë korrupsion. E vetmja që ka pasur rritje janë kontratat njëburimore”, ka thënë ajo.

Hamza: Buxheti nuk paraqet premtimet e Kurtit
Kryetari i PDK, Bedri Hamza, ka kritikuar mënyrën e ndarjes buxhetore të paraparë me projektbuxhet.
Sipas Hamzës, buxheti nuk përmban premtimet që ka paraqitur nga kryeministri Albin Kurti në ekspozenë e tij të paraqitur në Kuvend me rastin e rizgjedhjes së tij.
Teksa ka folur për rritjen ekonomike Hamza ka thënë se përjashtuar vitin 2021, norma e rritjes ka qenë afër 4, ndërsa për 2025 sipas tij ajo është më e ulët se 4.
“Buxheti i propozuar për vitin 2026, është buxhet që menaxhon status quo. Kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve operative dhe posaçërisht të transferteve dhe subvencioneve. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtër, por në periudhë afatgjatë, si rritje e shpenzimeve rrjedhëse, e zvogëlon hapësirën për investime kapitale. Këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transferet e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme dhe sigurisht se do të ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese“, ka theksuar Hamza.
Hamza ka folur për rritjen e normave në dispozita, duke thënë se kjo flet për rritje të kamatave për kreditë familjare dhe bizneset.
Ka deklaruar se është përkeqësuar standardi i jetës së qytetarëve.
Hamza ka thënë se nuk e kupton urgjencën e procesimit të Projektligjit.
“Nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe, ne nuk duam dhe nuk lejojmë vonesa, por pse kjo urgjencë? Vetëm 2 arsye më shkojnë ndërmend. E para që të iu pamundësohet deputetëve, pozitë e opozitë që me diskutimet e tyre të japin edhe propozime e alternativa. Si e dytë, nuk dua të besoj që kjo lidhet me çështjen e zgjedhjes së presidentit”, është shprehur ai.
Murati: 3.64 miliardë euro të hyra buxhetore, pjesa tjetër e shpenzimeve mbulohet me kredi
Ministri i Financave, Hekuran Murati në arsyetimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2026 para deputetëve ka thënë se kanë propozuar që ai të procedohet ashtu siç ka qenë vitin e kaluar, duke mos reflektuar strukturën e re të Qeverisë që ka 4 ministri më shumë.
Por, ka thënë që do ta rishikojnë atë brenda muajit.
Ai ka thënë se në Ligj parashihet edhe ndryshimi i tabelave.
Murati ka thënë se të hyrat buxhetore janë 3.64 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve do të mbulohet me kredi apo edhe me deficit.
Ai ka thënë se paga e 13-të për punonjësit e administratës parashihet të jepet në fillim të vitit.
"Është një buxhet që kufiri i shpenzimit është rreth 4 miliardë euro. Këto shpenzime mund të zbërthehen në kategori paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliardë e 358 milionë euro, shpenzime kapitale 998.4 milionë euro, si dhe 100 milionë euro të tjera të financuara nga klauzola e investimeve. Pjesa e mbetur e deficitit parashihet të financohet përmes huamarrjes ose granteve nga donatorët.Përveç këtyre, është paraparë që: Paga e 13-të të shtohet këtu, Përvoja e punës, që me ligjin e pagave për 15 vitet e para ishte 0.25% për vit, të kthehet në 0.5% në vit për të gjitha vitet. Shtyrja e hyrjes në fuqi të normës progresive për tatimin në pronë, në mënyrë që këtë vit të kemi një ligj të ri në konsultim me komunat, duke qenë se këto të hyra u shkojnë atyre”, ka deklaruar Murati.
Me 35 minuta vonesë nis seanca për buxhetin
Me 35 minuta vonesë ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovë, në të cilën do të shqyrtohet Projektbuxheti për vitin 2026, në vlerë 4 miliardë euro.
Në fillim të seancës u bë shmangia e afateve për procedura me këtë projektligj, ku ashtu siç edhe ishte zotuar, PDK votoi pro shmangies.
Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 ishte në rend dite në seancën e mbajtur të premten, mirëpo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë shmangien nga afatet për ta shqyrtuar atë në parim.
Partitë opozitare kundërshtuan shqyrtimin me urgjencë të këtij projektligji, duke kërkuar së paku tri ditë për ta analizuar materialin prej 700 faqesh që u është përcjellë nga ekzekutivi gjatë ditës së premte.