Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare rreth orës 10:00, ku në rend dite janë 27 pika.

Në këtë seancë pritet të bëhet zëvendësimi i deputetëve të Lëvizjes vetëvendosje në komisione parlamentare. Tutje do të shqyrtohen edhe disa projektligje.

Rendi i ditës

1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3. Propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare,

4. Propozim-Vendimi për hartimin e Nismës legjislative të qytetarëve nga Qeveria e Republikës së Kosovës,

5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-295 për kripto-asetet,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

8. Shqyrtimi i propozimit të gjashtë (6) deputetëve nga GP të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

9. Zgjedhja e tre (3) drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut,

10. Emërimi i anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve,

11. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-317 për aderim në “Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja në çështje civile apo tregtare”,

12. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-318 për aderim në “Konventën për marrjen e provave jashtë vendit në çështje civile apo tregtare”,

13. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-319 për aderim në “Konventën për zgjedhjen e marrëveshjeve gjyqësore”,

14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-312 për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç,

15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-315 për banim social dhe të përballueshëm,

16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor,

17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-322 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-316 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit,

19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,

20. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit nr.06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur,

21. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-034,

22. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,

23. Shqyrtimi i Propozimit të shtatë (7) deputetëve nga radhët e komuniteteve tjera që nuk janë shumicë, për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bahrim Shabani,

24. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2023,

25. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023,

26. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2023,

27. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për periudhën kohore, prej 4 korrik 2024 deri në përfundim të mandatit të tij.

Ndërpritet seanca, deputetët nuk kthehen pas pauzës

5 muaj më parë / 31 tet 2024 14:24
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka ndërprerë seancën e sotme të Kuvendit.

Kjo pasi shumica e deputetëve nuk u kthyen në sallë pas pauzës që parashihej të zgjaste deri në orën 14:00.

Seanca do të vazhdojë të hënën në orën 12:00, pas mbledhjes së Kryesisë. 

Projektet infrastrukturore përplasin Aliun me deputetët e opozitës

5 muaj më parë / 31 tet 2024 12:13 Nga: Marigona Brahimi
Liburn Aliu

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është përplasur me deputetët e opozitës për disa projekte infrastrukturore gjatë seancës së sotme të Kuvendit.

Në fjalën e tij fillimisht, Aliu përmendi disa nga projektet infrastrukturore “që po shkojnë sipas planifikimeve”:

“Në masën dërrmuese projektet infrastrukturore janë duke shkuar sipas planifikimeve. Sa i përket rrugës së Podujevës ka qenë rrugë me probleme të shumta nga e kaluara, kemi arritur t’i mbyllim disa prej tyre dhe tani punimet po shkojmë në trendin normal. Së shpejti do të bëhet asfaltimi i katër shiritave rrugorë. Rruga e Mitrovicës është ndër rrugët më problematike që kemi pasur. Rruga është afër përfundimit. Po vazhdojnë punët normalisht me trendin e vetë. Edhe ura e Badocit ka qenë me probleme, projekti është bërë, është bërë me gabime, është përmirësuar, tash po ec me trend të shpejtë. Por kur flasim për rrugën Dollc - Gjakovë dhe për autostradën e Gjilanit, s’ka rrugë që i kam vizituar më shpesh por ka probleme të përditshme. Ka progres me të ngadaltë por ka progres”, ka thënë ai.

Por me këtë s’u pajtua deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai ka thënë se në mandatin e Qeverisë Kurti nuk janë arritur as të mirëmbahen rrugët.

“Rrugët e vjetra që kanë qenë janë bërë të rrezikshme, të pakalueshme sepse s’keni arritur as me i mirëmbajt. Rruga Dollc - Gjakovë në gjithë segmentin e saj edhe me shembjen, tregon se s’ka strategji të punës veç po bëhet sa për të thënë”, ka deklaruar Berisha.

Kritika për rrugën tek ura e Badocit pati deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

“Rruga tek ura e Badocit sipas jush është dashur qe dy vjet të rregullohet. Edhe rruga e devijuar është e dëmtuar. Se di sa duhet punë për një rrugë 40 metra me rregullu për dy vjet”, ka thënë ajo.

Të dy morën përgjigje nga ministri Aliu.

“Për rrugën Dollc - Gjakovë besoj se një pjesë e vërejtjeve qëndron. Është projekt i trashëguar. Pjesa e Badocit është duke shkuar në trendin normal tani. Progresi është t’u shku brenda trendeve normale”, ka potencuar Aliu.

Deputetët në shqyrtim të dytë Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, Ligji për kripto-asetet dhe ai për regjistrin e pronarëve përfitues.

Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 14:00.

Bajrami – Qeverisë: Nuk mund të lavdëroheni për secilin vendim, sidomos jo për ato që s’i zbatoni

5 muaj më parë / 31 tet 2024 12:06 Nga: Marigona Brahimi
Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për vendimin për rritjen e pagave. Ajo ka thënë se Vetëvendosje mburret vazhdimisht për rritjen e pagës minimale, por se po i harron gratë – punëtore teknike të Kuvendit - që janë në grevë.

Bajrami ka shtuar se kompanisë përmes së cilës janë kontraktuar punëtoret duhet t’i ndërpritet kontrata.

“Në gusht qeveria mori vendim për rritjen e pagës minimale. Ne e dimë që nuk ka rast që LVV-ja nuk është lëvduar për këtë rritje të pagës minimale. Derisa, prej datës 16 shtator janë 14 gra te cilat janë në grevë sepse ato paguhen në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Kosovës sepse paga e tyre është 275. E kemi një kompani private që nuk po respekton vendimin e qeverisë por tjetra është që kjo kompani ka kontratë me Kuvendin, me ligjbërësit me ne. Ne ndërkohe nuk kemi informacion që kësaj kompanie i është shkëputur kontrata. Nuk mund te lavdëroheni për secilin vendim e sidomos jo për vendimet të cilat nuk i zbatoni. Shumë e thjeshtë është zgjidhja kësaj çështjeje. Ajo kompani pro në mungesë te ofrimit të shërbimeve e pakta që është dashur të bëhej është t’i shkëputet kontrata. Duhet të kujdeseni t’i zbatoni ligjet në fuqi. Në kontratën e radhës duhet të jenë edhe kushtet e punëtorëve që do t’i ofrojnë shërbime Kuvendit”, ka thënë ajo në seancën e Kuvendit.