Pas 2 orëve diskutim, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë, raporton “KOHA”. Me këtë rast, kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci u kërkoi gjithë deputetëve që në orën 15:30 të kthehen në seancë, pasi që pritet që të votohet një mocion procedural, për të cilin nevojiten mbi 61 vota.
“Tani do të shkojmë në pauzë deri në 15:30 por ju lutem që të kthehemi në kohë sepse ka një propozim për mocion procedural, e për atë na duhet që të jemi të pranishëm së paku 61 deputet në sallë”, tha Nagavci.
Në vazhdimin e seancës pritet të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019, Pjesa e dytë Objektivi 1, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Italisë për transferimin e personave të dënuar, zgjedhja e një anëtari të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për deminim humanitar.