Arbëri

Kuvendi shkarkon Bekën nga pozita në Këshillin Prokurorial

Me 62 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Komisioni për Legjislacion pati miratuar në fund të shtatorit sivjet rekomandimin për shkarkimin e Bekës.

Inicimi pati ardhur pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar në KTV më 18 shkurt 2023 me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Në hulumtim shpërfaqej se si Agron Beka kishte ushtruar ndikimin si anëtar i KPK-së për polemikat në Universitet që nuk ndërlidheshin me punën e tij në KPK.

Herën e fundit, shkarkimi i Bekës kishte dështuar më 2 nëntor në mungesë të kuaorimit. Më 2 nëntor, në mungesë kuorumi, ishte shtyrë për seancë tjetër votimi i rekomandimit për shkarkimin e anëtarit joprokuror në KPK. Edhe më 19 tetor, në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte shqyrtuar rekomandimin për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së.

Pas inicimit të Komisionit për shkarkimin e Bekës, Këshilli Prokurorial pati akuzuar deputetët për tendencë për ndërhyrje e cenim të sistemit prokurorial. KPK-ja pati akuzuar Komisionin se e ka marrë vendimin pa i shqyrtuar të gjitha provat.