Kuvendi i Kosovës ka publikuar pasditen e së enjtes fotografitë e takimit të përfaqësuesve të subjekteve politike gjatë përpjekjes së dytë për konstituim të legjislaturës së nëntë.
Të enjten deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit u mblodhën për herë të dytë për të konstituuar Kuvendin, por edhe sot kjo nuk u arrit.
Në hapje të seancës, kryesuesi (deputeti më i moshuar), Avni Dehari i ftoi përfaqësuesit e partive për takim konsultativ për raportin e komisionit për verifikim të kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Takimi u kundërshtua nga partitë e deritashme opozitare që thanë se kjo është shkelje e procedurave.
Pas takimit, Dehari tha se nuk ka parë ndryshime të qëndrimeve të partive nga seanca e parë e dështuar dhe e ndërpreu seancën, që po asht nxiti reagime të deputetëve opozitareë.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot për të vijuar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, të ndërprerë më 15 prill. Në hapje të saj, kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një takim konsultativ përkitazi me raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Pas takimit kryesuesi Dehari njoftoi deputetët për ndërprerjen e seancës, duke paralajmëruar vazhdimin e saj, të shtunën, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit në Facebook.
