Arbëri

Kuvendi përfundon pushimet

Kuvendi i Kosovës do të nisë sesionin vjeshtor të punimeve javën që vjen. Më 12 shtator do të mblidhet Kryesia e Kuvendit për të caktuar pikat e rendit të ditës për seancën e parë të sesionit të ri.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, në rend dite të mbledhjes së kryesisë janë pikat e papërfunduara nga seancat plenare të para disa muajve, nisur që nga shkurti.

Projektligji për vetëqeverisje lokale, ai për festat zyrtare, për Qeverinë e Kosovës, për noterinë, zgjedhja e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb si dhe shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë.

Ndërkaq në pikat e përfshira në propozimin për seancën plenare të radhës janë: shqyrtimi i projektligjit për shërbim në FSK; shqyrtimi i projektligjit për FSK-në; atij për Ministrinë e Mbrojtjes; atij për ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive; atij për skemat pensionale të financuara nga shteti; shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Media më 2021; shqyrtimi i raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021; shqyrtimi i raportit vjetor të performancës së ndërmarrjeve publike qendrore për vitin 2020; shqyrtimi i raportit me rekomandime për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës; shqyrtimi i raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë; shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Kuvendi ka qenë në pushim që nga seanca e 4 gushtit.