Arbëri

Kuvendi me sesion më të dobët se parapraku

Deputetë të Kuvendit do t’i nisin pushimet të martën, duke i lënë të papërfunduara 43 projektligje. Edhe ato që morën miratim gjatë shtatë muajve të sesionit pranveror kanë qenë më të vogla në numër sesa në dy sesionet e kaluara. Sivjet, Parlamenti i dha miratim 8 ligjeve më pak sesa vjet, ndërsa 51 më pak se parvjet

Të martën e ardhshme, Kuvendi do ta përmbyllë sesionin e katërt pranveror të kësaj legjislature, me bilanc më të ulët të punës se në dy paraprakët.

Iu dha miratimi gjithsej 36 ligjeve, e që janë 8 më pak sesa vjet, ndërsa 51 më pak sesa parvjet.

Më pak u punua veç në pranverën e 2021-s, kur Kuvendi e trupat parlamentarë kanë qenë në procedurë konstituimi dhe u miratuan vetëm 7 ligje.

Në këtë sesion, vetëm 16 ishin ligje të përgatitura nga Qeveria a Kuvendi, e 20 të tjerat ishin marrëveshje ndërkombëtare.

E pa i trajtuar krejtësisht, Kuvendi i ka edhe 43 projektligje.

Për këtë bilanc, Albana Hashani, hulumtuese në Lëvizjen FOL, thotë se një nga shkaktarët është mungesa e konsensusit dhe e kuorumit, që i dështoi një sërë mbledhjesh plenare e të komisioneve.

“Është zhgënjyese dhe dëshpëruese të themi sesi tashmë jemi në fund të sesionit pranveror të punimeve të Kuvendit dhe kemi parë që nuk ka përmbushje të agjendës legjislative, marrë parasysh edhe shumicën e fortë parlamentare që ka pasur kjo Qeveri. Përveç kësaj, ky sesion pranveror është përcjellë edhe me mungesë të një debati substancial dhe të mirëfilltë parlamentar”, ka thënë Hashani.

Edhe Blerina Istrefi, hulumtuese në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, i kritikoi deputetët për mosseriozitet në punë.

“Është vërejtur një rënie drastike e punës së Kuvendit, kjo si rrjedhojë e disa mospajtimeve në mes të opozitës dhe pozitës për t’i shtyrë përpara iniciativat ligjore të cilat shumica prej tyre janë mjaft të rëndësishme për legjislaturën e Kosovës. Vetëm në periudhën janar-prill 2024, pra në katërmujorin e parë 2024, janë miratuar gjithsej vetëm 2 projektligje”, ka thënë Istrefi.

Me gjithë thirrjen për miratim, Kuvendi tash e një vit e gjysmë e ka në trajtim Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, të cilin nuk po arrin ta kalojë në të dy leximet.

Në shqyrtim është edhe projektligji për Zyrtarët Publikë, për të cilin edhe në opozitë por edhe në shoqërinë civile, kanë bërë thirrje që të mos miratohet.

Në dy muajt e fundit, Kuvendi i ka mbajtur krejt dy seanca plenare dhe një të jashtëzakonshme në një sallë alternative, shkaku i punimeve për rregullimin e sistemit elektronik të votimit në sallën e seancave plenare.

Dinamika e punës, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, nuk pritet të intensifikohet as në sesionin vjeshtor, pas pushimit të deputetëve, pasi vlerësuan se ndikim të madh në funksionim do të ketë hyrja e vendit në proces zgjedhor.

Megjithëkëtë, legjislatura aktuale ka më së shumti projektligje të miratuara nga të gjitha të tjerat, gjithsej 254 sosh.