Arbëri

Kuvendi mban seancë plenare

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 10:00 seancë plenare. Në rend dite janë 9 pika. Ndër to edhe zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për të cilën gjatë ditës së mërkurë, opozita por edhe shoqëria civile kërkuan që të hiqet nga rendi i ditës.

Në një komunikatë për media organizatat e shoqërisë civile thonë se kandidati për këtë pozitë, Enver Bujari, ka manipuluar me CV-në e tij, duke mos ofruar dokumentin që dëshmon mbi përvojën e punës, ashtu siç është kërkuar me konkurs dhe ligj, por vetëm raportin e Trustit Pensional.

Shoqëria civile vlerëson se Komisioneri për Informim dhe Privatësi do të jetë personi më i rëndësishëm në Kosovë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.

Ky është rendi i ditës i seancës plenare:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

5. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,

6. Shqyrtimi i propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës,

7. Zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,

8. Zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi,

9. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.