Mosndëshkimi i partive politike për shkeljen e Ligjit anti-Covid ndërkohë që qytetarët gjobiten për mosrespektim masash, ka hapur debat të premten në Kuvendin Komunal të Pejës.
Në seancën e parë për këtë vit, komandanti i Stacionit Policor të Pejës, Ndue Nikolla, ka prezantuar raportin mbi sigurinë në këtë komunë, me ç’rast ka njoftuar se 7 mijë e 325 gjoba janë shqiptuar ndaj qytetarëve vitin e kaluar, gjë që ka vazhduar edhe këtë vit.
Disa këshilltarë komunalë kanë reaguar për faktin se subjektet politike që po shkelin masat kundër përhapjes së virusit në tubimet e tyre nuk po gjobiten, dhe për këtë Blerim Krasniqi, këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje ka akuzuar organet përgjegjëse se ato po punojnë me dy standarde.
“Për partitë politike që bëjnë tubime me qindra e mijëra nuk ndëshkohen, ndërsa gastronomia, nëse ulen katër veta në një tavolinë, menjëherë vjen ndëshkimi dhe ndëshkime shumë të mëdha”, ka thënë ai.
Dhe kjo formë e gjobitjeve me standarde të dyfishta, siç tha ai, është shqetësuese edhe për popullatën dhe për bizneset.
Komandanti i Stacionit Policor të Pejës, Ndue Nikolla, tha se për tubimet e subjekteve politike, të cilat ai nuk deshi t’i komentonte, janë përgjegjëse edhe organet e tjera në rastet kur nuk zbatohen masat.
“Mendoj që është detyrë prioritare e inspeksionit sanitar dhe inspektorëve komunal, edhe pse ligjin anticovid ka për obligim me zbatua edhe policia, që është organ që duhet ta zbatojë”, është shprehur Nikolla.
Ditët e fundit janë shpeshtuar tubimet e subjekteve politikë ne Pejë, të cilat në shumicën e tubimeve kanë shkelur masat kundër pandemisë, por megjithatë inspektorati komunal nuk ka shqiptuar deri tash asnjë gjobë.
“Gjoba të shqiptuara ndaj subjekteve politike nuk ka aktualisht. Mirëpo tash pasi që do të fillojë fushata zgjedhore zyrtarisht, do të realizohen më shumë inspektime dhe sigurisht që do të ketë edhe gjoba të shqiptuara ndaj subjekteve politike të cilat nuk i zbatojnë vendimet e qeverisë”, ka thënë drejtori i Inspektoratit, Leotrim Murtezaj.
Përveç Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, që deri tani ka shqiptuar 7 gjoba ndaj partive politike për shkelje të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, asnjë komunë tjetër nuk ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj partive për mosrespektim masash.