Arbëri

Kuvendi Komunal i Prizrenit vendos që Erion Veliaj të shpallet “Qytetar Nderi”

Kuvendi i Prizrenit ka miratuar kërkesën e kryetarit Shaqir Totaj që titulli “Qytetar Nderi” t’i ndahet kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi është votuar edhe nga asamblistët e Vetëvendosjes, të cilët kanë shprehur dilemën nëse në këtë formë Prizreni po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Shqipëri

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit njëzëri kanë miratuar vendimin për shpalljen “Qytetar Nderi” të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Pjesa dërrmuese e subjekteve politike, të enjten, kanë mbështetur propozimin e kryetarit Shaqir Totaj për ndarjen e këtij titulli pa ndonjë diskutim.

Vetëm asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk kanë votuar kundër, kanë shprehur rezerva nëse po respektohet Rregullorja komunale për ndarjen e dekoratave dhe nëse me këtë vendim po ndikohet në zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Kryetari Shaqir Totaj para anëtarëve të Kuvendit ka prezantuar biografinë dhe veprimtarinë e Veliajt duke veçuar angazhimin e tij për krijimin e Unionit të Bashkive Shqiptare, pjesë e së cilës është edhe Prizreni.

“Nën drejtimin e z. Veliaj, Unioni ka avancuar kauzën e shqiptarëve në rajon, duke iu ofruar qeverisje më të mirë lokale, shërbime më të mira, zgjedhje më të mira për jetesën e komunitetit, cilësi më të mirë në të gjithë faktorët e jetës që preken nga puna e bashkisë”, ka thënë Totaj.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Kuvendin e Prizrenit, Karanfil Haxhillari, ka theksuar se partia e tij nuk ka votë kundër për asnjë personalitet, porse kërkon respektimin e nenit 6 të Rregullores për ndarjen e dekoratave, në mënyrë që të mos bëhen përjashtime që bien ndesh me këtë akt komunal.

“Koha po e përmendi, sepse tani komunat e Republikës së Shqipërisë janë në zgjedhje lokale. Dhe kryeqyteti historik, Prizreni, në këtë rast a po i bën favor kryeqytetit të shqiptarëve, në këtë rast Tiranës. A mos po ndikojmë në mënyrë direkte apo indirekte edhe në procesin zgjedhor lokal në Shqipëri”, ka thënë Haxhillari.

Plani i organeve komunale të Prizrenit është që titulli “Qytetar Nderi i Prizrenit” t’i dorëzohet kryebashkiakut Veliaj më 17 shkurt, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa zgjedhjet vendore në Shqipëri janë caktuar për 14 maj 2023.