Arbëri

Kuvendi i Prizrenit i ridestinon mbi 800 mijë euro të investimeve kapitale

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, me shumicë votash, kanë miratuar vendimin për ridestinimin e mjeteve buxhetore në kategorinë e investimeve kapitale.

Zyrtarët përgjegjës kanë theksuar se me këtë akt bëhet kursimi dhe ridestinimi i mbi 800 mijë eurove.

Në praktikë, mjetet e kursyera në 11 projekte kapitale me vendimin në fjalë janë ridestinuar për shpenzim në 15 projekte të tjera, të parapara me buxhetin vjetor.

Drejtori i Financave, Sulltan Badallaj, ka kërkuar mbështetje, duke pohuar se ridestinimi i këtyre mjeteve lejohet me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe se kësisoj mundësohet shpenzimi më efikas i mjeteve buxhetore.

“Pesë përqindëshi i projekteve prej njërit zë buxhetor te tjetri janë të realizueshëm dhe prandaj ne i kemi përcaktuar, drejtoria përkatëse, cilat mjete duhet të kalojnë nga një projekt te projekt tjetër si vlera monetare”, tha Sulltan Badallaj, drejtor i Financave.

Mirëpo, kuvendarët opozitarë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje thanë se planifikimi buxhetor po realizohet pa analizë të thuktë, gjë që po vështirëson pastaj zbatimin në praktikë.

“Tash kjo tregon paaftësinë dhe mosdëgjimin për me e bë një buxhet të shëndoshë për qytetin. Ose po bëjmë diçka të shëndoshë, ose çdo dy-tre muaj keni për të ardhur me këso ridestinime, ridestinime”, pohoi Faruk Tahiri nga LVV-ja.

“Me sa e di dhe me sa e lexova unë, ligji ta lejon pesë përqindëshin nëse fillon një projekt. Sa prej këtyre projekteve janë të filluara? Këtu po shoh disa projekte që nuk shoh që kanë filluar e as nuk kanë thirrje në prokurim”, shtoi Dafina Alishani, po ashtu nga LVV-ja.

Por drejtori Badallaj ka insistuar se ky ridestinim mundëson shpenzimin e mjeteve të kursyera nga 11 projekte kapitale.

“Prej një projekti që nuk munden për t’u shfrytëzuar, jemi duke i ridestinuar në projekt tjetër që për të kryer punë dhe për t’i shfrytëzuar mjetet", deklaroi Badallaj.

Pas diskutimeve të zhvilluara, nga 24 anëtarë të pranishëm për miratimin e vendimit për ridestinimin e mjeteve kanë votuar 20 sosh, derisa 2 anëtarë kanë abstenuar.

Deri në fund të muajit shtator, shkaku i inflacionit, Komuna e Prizrenit ka pasur përqindje të ulët të shpenzimeve te kategoria e investimeve kapitale.