Arbëri

Kuvendi i Prizrenit i merr parasysh vërejtjet e MMPHI-së mbi rregulloren për hapësira publike

Kuvendi Komunal i Prizrenit - rregullorja

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit e rishqyrtuan Rregulloren mbi trajtimin e mënyrës së shfrytëzimit të hapësirës publike dhe të Zonës Historike të qytetit.

Ky akt është plotësuar në bazë të vërejtjeve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që pati konstatuar se rregullorja nuk është në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Në shkresën e kësaj ministrie drejtuar autoriteteve komunale ishte kërkuar harmonizimi i rregullores së miratuar më 22 shtator të këtij viti, me legjislacionin në fuqi.

“Rregullorja, përpos që duhet të jetë në harmoni me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, ajo duhet të jetë e bazuar edhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe me Rregulloren për caktimin e Institucioneve Publike të Trashëgimisë Kulturore, vartëse të MKRS-së, në cilësinë e Institucioneve Kompetente", thuhet në sqarimet e MMPHI-së.

Kuvendi Komunal, gjatë seancës së fundit e rishqyrtoi vendimin, duke u mbështetur në vërejtjet nga ministria.

Raim Alija, shef i Grupit Punues për hartimin e rregullores, bëri të ditur që ministria ka konstatuar se në këtë akt nuk janë marrë parasysh dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe të Ligjit për Trashëgimin Kulturore.

“Në atë drejtim, Grupi Punues menjëherë u mblodh dhe ka shqyrtuar propozimet, vërejtjet dhe sugjerimet, dhe lidhur me këtë, atë e ka plotësuar dhe ka ndryshuar këtë draft-rregullore. Dhe sot pas shqyrtimeve dhe vërejtjeve që kanë bërë atje dhe përpilimit të draft-rregullores përfundimtare, ka mbetë që edhe njëherë, sipas procedurës, të nxirret në rivotim sipas vërejtjeve dhe sugjerimeve të MMPHI-së”, tha Alija.

Kuvendari opozitar, Islam Thaçi, adresoi vërejtje për anëtarët e Grupit Punues, që gjatë hartimit të rregullores i lejuar gabimet teknike në përmbajtjen e saj.

“Mirëpo, është pak ta them e pafalshme për këta, për shkak se janë të gjithë profesionistë të fushave të tyre, dmth. duke marrë parasysh se në përpilimin e kësaj rregulloreje pak a shumë të gjitha drejtoritë kanë dhënë kontributin e vet, me stafin që e kanë dhe e di që janë munduar t’i përzgjedhin punëtorët më të mirë për përpilimin e kësaj. Mirë është, edhe shpresoj që këtë plotësim-ndryshim që ka kërkuar Ministria të mos keni bërë lëshim edhe mëkat është që këtij Kuvendi përsëri t’i kthehen për disa gabime teknike”, tha Thaçi.

Rregullorja shërben për përcaktimin e bazës juridike dhe të kritereve themelore për lejimin e vendosjes së objekteve të përkohshme në sipërfaqe publike, duke i përkufizuar zonat ku ato mund të vendosen, llojet e objekteve, mënyrën e vendosjes së tyre, si dhe kriteret për përcaktimin e tarifave.