Kuvendi i Prizrenit ka miratuar një rekomandim që i drejtohet Ministrisë së Financave për rishqyrtimin e vendimit për tatimin në pronë, sikurse edhe për faljen në vlerë prej 100 eurove për të gjithë tatimpaguesit. Pajtimi për rekomandimin është arritur mes shefave të grupeve pas debatit të gjatë në seancën e jashtëzakonshme të së hënës
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në seancën e jashtëzakonshme, të hënën, kanë miratuar njëzëri rekomandimin me të cilin kërkohet nga Ministria e Financave që të rishqyrtojë vendimin lidhur me tatimin në pronë dhe të realizojë faljen e deri në 100 euro për tatimpaguesit e kësaj komune.
Pajtimi për këtë rekomandim është arritur nga shefat e grupeve të këshilltarëve, pas një debati të gjatë e me shumë diskutime e përplasje.
Karanfil Haxhillari nga Lëvizja Vetëvendosje ka arsyetuar kërkesën për miratimin e rekomandimit për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro. Por, si kryetari i Komunës ashtu edhe shefat e grupeve të tjera ia kanë përkujtuar interpretimin e Ministrisë së Financave për kufizimet ligjore që kanë komunat në këtë aspekt.
“Po kërkojmë rekomandim apo deklaratë mbështetëse që ta falim qytetarin e Prizrenit me nga 100 euro. Kaq e thjeshtë është”, ka thënë Haxhillari.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se kjo çështje nuk është në kompetencën e Komunës, por të Ministrisë.
“Prandaj qysh mundemi na me vendosë apo me rekomandua diçka që nuk është fare kompetencë e jona, që absolutisht nuk na lejohet me legjislacion me u marrë me këto gjëra”, u shpreh Totaj.
Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe paraqitjet e këshilltarëve të tjerë, që kanë akuzuar Vetëvendosjen se në nivel lokal kërkon uljen e tatimit në pronë, derisa në nivel qendror e rrit atë.
Haziz Hodaj i LDK-së ka vlerësuar se bëhet fjalë për një lojë të radhës populiste të Vetëvendosjes.
“Ne përmbahemi prej kësaj kërkese, sepse hiç më pak se nja 30 deklarata apo rekomandime i kemi bërë këtu dhe asnjëra prej tyre nuk është marrë parasysh”, ka theksuar Hodaj.
Diskutimet rreth kësaj pike ishin të shumta. Është nevojitur pauza mbi gjysmë ore që shefat e grupeve të këshilltarëve të pajtohen për tekstin e rekomandimit, që është prezantuar nga kryesuesja e Kuvendit.
"Nën 1: Rishqyrtimi i vendimit të Departamentit të Tatimit në Pronë në MFPT, si dhe brenda mundësive ligjore të bëhet falja e tatimit në pronë deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e Komunës së Prizrenit për vitin 2023. Gjithashtu i bashkohen edhe propozimet e Drejtorisë së Financave", ka thënë kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit, Antigona Bytyqi.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prizrenit është thirrur në bazë të kërkesës së këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e mbështetur edhe nga kuvendarët e komuniteteve joshumicë.