Arbëri

Kuvendi i natës. Pushteti “ngutet” të marrë vendime

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke mbajtur seancë të Kuvendit në mbrëmjen e së enjtes, pa opozitën. 

Në nisje të seancës së mbrëmjes, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se në rend dite janë projektligje që “nëse nuk kalojnë brenda këtij afati kohor, rrezikohen shumë procese të rëndësishme në Republikën e Kosovës”.

Ndër projektligjet që janë miratuar në këtë seancë të mbrëmjes ka qenë ai për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Është miratuar edhe ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Të dy janë miratuar me nga 63 vota pro e asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Me 62 vota për kaloi edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për shërbimet e pagesave. Në procedurë të përshpejtuar janë miratuar edhe ligjet për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, ai i Inspektoratit qendror të mjedisit, ujërave, natyrës ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore. Janë miratuar edhe Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, ai kundër dukurive negative në sport dhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale.

E mbajtja e seancës në mbrëmje ka nxitur reagim në opozitë dhe shoqëri civile.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur “puç parlamentar”.

“Sonte po ndodhë puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë! Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të respektojë procedurat e rregullta të thirrjes së seancave parlamentare. Shmangia nga logjika normale parlamentare në pikë të natës, pa asnjë urgjencë është puç parlamentar dhe kontrabantim i Ligjeve pa konsultimet që i ka obligim ti bëjë Kuvendi”, ka shkruar ai në Facebook.

E pak para mesnatës, deputetët e AAK-së, Besnik Tahiri dhe Pal Lekaj, janë paraqitur në seancë. 

“A ia ka mësy dikush Kosovës. Çka po bëni? Kjo nuk ka asnjë arsyeshmëri. A jeni duke e ditë se çka po bëni? Sinqerisht po ju pyes. A jeni duke e ditë se çka po bëni? Qysh seancë të jashtëzakonshme në pikë të natës pa kurrfarë arsye. Nuk ka as Rusia, as Kina, sigurt luftë nuk ka. Prapë mund t’i bëni 62 deputetë. Prapë mblidheni. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Arsyeja pse po kemi ardhur është të ju themi se kjo s’ka kurrfarë arsye. Është kontrabandim i ligjeve”, ka thënë Tahiri.

Përgjigje të shpejtë i ka dhënë Konjufca.

“E prej atje (Novosellës së Gjakovës) ke ardhur me na kallëzu diçka që e lexuam në Facebook në status që ke shkru?” ka thënë kryeparlamentari Konjufca.


VIDEO: Pushteti mban pa opozitën seancën e natës. Befasohet kur hyjnë deputetët e AAK-së. Kryeparlamentari Konjufca i thumbon


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, seancën e sotme e ka quajtur cirk, duke shtuar se ftesa i është dërguar me vonesë. 

“Cirku në Kuvendin e Kosovës po vazhdon edhe në këto orë të vona. Në orën 22:15 më vjen ftesa që mbledhja e komisionit fillon në orën 22:10. Mbledhja e komisionit do të mbahet: Të enjten, më 5 dhjetor 2024, në orën 22:10, në sallën N-10, ndërtesa e Kuvendit… Mos i harroni ato qerrjet e Albin Kurtit: ‘Po mani seanca natëëëëëëën!;”, ka shkruar ajo në Facebook. 

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, me një foto nga seanca ka ironizuar duke thënë se “sonte po thërrasim edhe një seancë të fundit për një ‘Debat parlamentar’”, e se fillimi i seancës do të jetë në orën 02:00.

“Tema: Ftojmë opozitën të zgjohet nga gjumi!”, ka shkruar ai.

Ndërsa Ismet Kryeziu, udhëheqës i Institutit Demokratik të Kosovës tek ka komentuar seancën ka thënë se prania vetëm e pushtetit “krijon përshtypjen e një ndeshjeje futbolli ku në fushë luan vetëm një ekip, pa kundërshtar”.

Pas kritikave, kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari ka thënë se janë miratuar 18 ligje, janë kompletuar tri borde, janë votuar pesë raporte. Ajo e ka cilësuar të enjten “shumë të suksesshme”.

Me agjendë, Kuvendi ka qenë i paraparë t’i mbajë dy seanca. E para ka qenë e paraparë të ishte vazhdim dhe të niste në orën 10:00. Në të parashiheshin 20 pika të mbetura nga seancat paraprake. E e dyta ishte paraparë të niste në orën 14:00 me 28 pika në rend të ditës.

Gjatë seancës së mbajtur pasdite, kryeparlamentari Konjufca e ndërpreu njëherë mbajtjen për shkak të deputetëve të Listës Serbe, që ia mësynë Kuvendit për t’u nënshkruar sa për t’i ruajtur mandatet. Kur deputetët e Listës Serbe u futën në sallë e u nënshkruan, ata të Vetëvendosjes nisën konfrontimin me ta.

E pasi hyri në Kuvend, kryeparlamentari Konjufca e quajti provokim ardhjen e deputetëve të Listës Serbe. “U drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje, një herë në 6 muaj me ardhë me keqpërdorë para të taksapaguesve. Në anën tjetër, e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel Radoiçiq. E keni guximin me ardhë në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj me e liru këtë sallë”, ka thënë Konjufca. Më pas, deputetët e Listës Serbe u larguan nga salla dhe seanca u ndërpre për gati dy orë.


VIDEO:


E gjatë seancës, që nisi me vonesë në mëngjes, u miratuan në lexim të parë dhe më pas me amendamentim të shpejtë edhe në lexim të dytë, Ligji për byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ai për banimin e përballueshëm dhe për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.