Arbëri

Kuvendi “i mësuar” me përleshje

Përleshja e së enjtes në Kuvendin e Kosovës nuk është e vetmja që ka ndodhur gjatë historikut parlamentar të Kosovës. Deputetët nga të gjitha partitë, në disa raste kanë përshkallëzuar situatën me debate, duke tentuar që t’i qërojnë hesapet edhe me grushte, e në disa raste, si të enjten, edhe janë përleshur

Kuvendi i Kosovës në disa raste është shndërruar në arenë përplasjesh mes deputetëve, por asnjëherë si të enjten, kur pati shumë grushte e shumë pjesëmarrës.

Më 29 korrik 2020 pas mbledhjes së njërit prej komisioneve parlamentare u patën përleshur Kujtim Shala e Arben Gashi të LDK-së me Gazmend Gjyshincën e Vetëvendosjes.

Një përplasje tjetër fizike gjatë interpelancës për të pagjeturit ndodhi më 19 nëntor 2020 mes Arben Gashit të LDK-së dhe Hajrullah Çekut e Hekuran Muratit të Vetëvendosjes. Përplasja kishte ndodhur derisa në foltoren e Kuvendit fliste deputetja Saranda Bogujevci, një ish-e mbijetuar e masakrës nga lufta e fundit. Fillimisht Gashi polemizonte me shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e më pastaj aty është afruar deputeti tjetër i kësaj partie, Hajrullah Çeku. Çeku e pati mohuar se kishte pasur përplasje fizike, ndërsa tha se u përfshi në diskutim për ta qetësuar situatën.

Gashi ishte përfshirë edhe në përleshjen e 18 majit të vitit 2018 me Xhavit Halitin e PDK-së. Halitit i pati dalë në krah edhe ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj. Incidenti ndodhi në momentin kur deputetët po votonin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Pamjet tregonin se deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, pasi doli nga kabina e votimit me fletëvotim në dorë, shkoi drejt deputetëve ku gjendej edhe Arben Gashi. Në momentin kur i është afruar, Haliti shihet duke tentuar t’i bjerë me bërryl deputetit të LDK-së. Situata nuk kishte përshkallëzuar falë ndërhyrjes së deputetëve të tjerë dhe të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Ai pati bërë thirrje që për hir të familjeve të evitohen sjellje të tilla në Kuvend.

Situata në Kuvend pati shpërthyer edhe më 16 mars 2018, në kohën kur po diskutohej për vdekjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit. Fjalimi i ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, pati nxitur reagimin e deputetëve të VV-së.

Situata shkoi deri aty sa gati pati përleshje fizike mes deputetëve të Vetëvendosjes e PDK-së. Tensionet nisën kur ministrja Hoxha i tha kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti se e ka instrumentalizuar për qëllime politike rastin e të ndjerit Astrit Dehari. Ajo kishte akuzuar VV-në se është e ndikuar nga Rusia, pas së cilës akuzë nisën goditjet mbi tavolinë nga deputetët e VV-së.

Vendimi i kryesuesit të seancës, Xhavit Haliti, për pauzë e acaroi deputetin Memli Krasniqi, i cili e goditi tavolinën, duke i thënë Halitit “pse pauzë”. Tavolinën e goditi edhe Liburn Aliu, të cilit i ishte afruar kokë më kokë Krasniqi i PDK-së, duke i thënë “dil jashtë e mos bërtit”. Aty ishte përfshirë edhe deputeti tjetër i VV-së, Salih Zyba, duke u thënë deputetëve të PDK-së “kriminelë dhe hajdutë”.

Para shtatë vjetësh ishte evituar edhe një përplasje mes kryetarit aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-deputetit të PDK-së, Nuredin Lushtaku.

Lushtaku ishte afruar me nervozë te foltorja teksa Konjufca po e lexonte një letër të Sami Lushtakut në debatin për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konjufca pati përmendur se kush e kishte akuzuar për vrasje Kadri Veselin, e më pas kishte cituar Sami Lushtakun në një fjalim të tij të mëparshëm, që për akuza ndaj UÇK-së kanë bërë edhe bashkëpartiakë e ministra.

Në atë moment, deputeti Nuredin Lushtaku ishte ngritur nga karrigia e tij duke u sulur drejt Konjufcës.

“Ti vetë i ke thënë Sami Lushtakut kriminel”, janë dëgjuar fjalët e Nuredin Lushtakut, të cilin e kishte zmbrapsur ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.

Para foltores menjëherë u renditën deputetët e Vetëvendosjes dhe të PDK-së, kurse Veseli shkoi të fliste me Lushtakun, e më pas edhe me Konjufcën.

Gjatë historikut parlamentar nuk kanë munguar as përplasjet mes ligjvënësve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Shkas për këtë ishin bërë dy marrëveshje të cilat ish-qeveritë e kaluara i patën nënshkruar me Serbinë dhe Malin e Zi – atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për shënimin e vijës së kufirit me shtetin malazias.

Për të penguar zhvillimin normal të punës së Kuvendit, opozita, që atëkohë përbëhej nga Vetëvendosja, AAK-ja e Nisma, pati hedhur edhe gaz lotsjellës. Në njërin prej raportimeve në Kuvend pas marrëveshjes së Brukselit, në drejtim të ish-kryeministrit Mustafa ishin hedhur edhe vezë.

E kryeministri aktual, Albin Kurti, si ish-opozitar pati tentuar që atij t’i hidhte edhe sprej syve.