Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten seancë parlamentare, ku në rend të ditës janë paraparë 32 pika.

Në mesin e pikave janë edhe votimi për themelimin e komisionit hetimor mbi përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe zhdukjen e mostrave të rastit “Dehari”.

Pritet të votohet edhe projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Do të shqyrtohen në lexim të dytë edhe Projektligji për zyrtarët publikë, ai për Komisionin e Pavarur për Media dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Për to, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të mërkurën ka thënë se është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj.

Seanca do të mbahet në një sallë alternative dhe jo në atë të mbledhjeve plenare. Shkak janë punimet për rregullimin e sistemit të votimit elektronik në sallë, që, sipas Kuvendit, pritet të zgjasë deri në fund të gushtit.

Zhvillimi i punimeve plenare në salla të ngushta alternative është vlerësuar i vështirë për opozitën.

Opozita lëshon seancën pasi nuk kaluan propozimet për tërheqje nga rendi i ditës i tri projektligjeve

9 muaj më parë / 27 qer 2024 11:56
Votimi

Photo: Alban Bujari

Në mungesë kuorumi, shtyhet seanca e Kuvendit

 

(14:20) - Në mungesë kuorumi, nuk është vazhduar seanca plenare. Të pranishëm në sallën alternative ku është mbajtur seanca e sotme, kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Paraprakisht, deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën plenare meqë nuk është mbështetur kërkesa për tërheqjen e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo seancë do të vazhdohet javën e ardhshme.

“Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë e vazhdojmë javën e ardhshme”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.

Në seancën e sotme plenare ishin paraparë mbi 30 pika të rendit të ditës


Projektligjet për Komisionin e Pavarur të Mediave, për zyrtarët publikë dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk morën shumicën për t’u tërhequr nga votimi, siç kërkuan deputetët opozitarë.

50 deputetë ishin kundër tërheqjes nga rendi për projektligjin për KPM-në, 25 për e 3 abstenuan, e kundër tërheqjes nga rendi për zyrtarët publikë votuan 50 deputetë, 25 për e 3 abstenime.

Pas votimit, deputetët opozitarë lëshuan sallën alternative ku po mbahet seanca e sotme.

Kuvendi më pas shkoi në pauzë deri në 13:30.

Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës kthehet në Komision pas akuzave për kontrabandim

9 muaj më parë / 27 qer 2024 11:09
Bekë Berisha

Photo: Alban Bujari

(Përditësuar - 11:17) - Me 69 vota pro, Kuvendi votoi që projektligji për Agjencionin e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të kthehet në komision.


Kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, ka akuzuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision, Enver Dugolli, duke thënë se “në mënyrë klandestine ka kontrabanduar” me projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh të enjten se ky projektligj nuk duhet të miratohet pasi cenon sigurinë kombëtare dhe rrezikon bashkëpunimin e Kosovës me partnerët.

“Nëse hiqet termi ‘dhe sigurisë’ cenohet mandati dhe veprimtaria e AKI-së... Ky bën që të humb kuptimi i AKI-së, inspektimi i AKI-së duhet të kryhet nga inspektori i AKI-së..Ndoshta pëe të emëruar dikë që është i preferuari i pushtetit, për të marrë kontroll në këtë agjencion...Doni të eliminoni presidenten nga kompetencat...pasi keni probleme mes vete. Amandamenti 45 për dispozitat kalimtare është e keqja më e madhe pasi do të krijohet boshllëk për 12 muaj pa instrument të inteligjencës së mbrojtjes pasi do të shuhet drejtoria aktuale për siguri”, ka shtuar tutje Berisha.

Ai ka kërkuar që projektligji të kthehet në fillim.

Ndaj Berishës reagoi shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari-Lila, që tha se nuk qëndrojnë pretendimet e deputetit të AAK-së.

“Grupi i VV-së ka dakordimin që ky projektligj të kthehet në komision në mënyrë që të ketë harmonizimin me partnerët që janë pjesë e diskutimit për temën e sigurisë dhe inteligjencës. S'ka pasur të bëjë me dispozitat që ai i përmendi e që janë tematikë tjetër. Pajtohemi që ky projektligj të kthehet në komision”, ka shtuar ajo.