Debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës ka përshkallëzuar në konfrontim fizik mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së. Pas përleshjes fizike që ndodhi në mesditë, seanca u ndërpre për disa ore, por edhe seanca e pasdites ka vazhduar me tensione e në disa momente edhe me përleshje fizike.
Në arenë boksi e mundjesh u shndërrua seanca e Kuvendit të Kosovës.
Deputetë e ministra u përleshën mes vete me grushte e u gjuajtën me ujë e shishe.
Tensionimit të situatës i parapriu debati për disa audioincizime të një bisede mes shefes se deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e ish-shefit të G.P të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Paraprakisht opozita e akuzoi Qeverinë Kurti për bashkëpunim e koordinim me të akuzuarin për disa vepra penale, Milan Radojiçiq.
E kur kryeministri doli në foltore të deklarohej për akuzat, nisën akrobacionet e opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, vendosi në foltore një fotografi të fytyrës së kryeministrit Kurti me hundë të gjatë, derisa thirrej rrenc e mashtrues.
Por këtë fotografi e hoqi zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, që nxiti një reagim të menjëhershëm të deputetit Mërgim Lushtaku.
Ai në drejtim të Kurtit hodhi ujë, të cilin me një fashikull u mundua ta pengonte ministri i Financave.
Ujë u hodh edhe në drejtim të Bisnik Bislimit, i cili ia ktheu Lushtakut duke e gjuajtur me shishe.
Kjo më pas bëri që deputetët e PDK-së të nisnin një konfrontim fizik me ministrat, ku u përfshinë edhe ligjvënës të LVV-së.
Besnik Bislimi u godit me shuplakë nga deputeti Lushtaku, të cilit ia kthen me grushte.
Ministri i Financave u godit nga deputetët Hajdar Beqa e Bekim Haxhiu.
Situata përshkallëzoi e kryekuvendari u desh ta thërriste policinë.
Mbrojtja e afërt e siguroi Kurtin derisa përleshjet mes deputetëve vazhdonin.
Foltorja u barrikadua e seanca nuk shihte vazhdim. Për ta shtensionuar situatën kryekuvendari kërkoi dy orë pauzë.
Pas pauzës, kryeparlamentari Konjufca tha se episodi i rrahjes në sallën plenare në Kuvend është ditë e rëndë për Kosovën. Konjufca tha se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në seancë me qëllim të uljes së tensioneve në Kuvend.
“Ne i kemi betejat tona, ne i kemi mosmarrëveshjet tona. Si forca politike i kemi papajtueshmëritë tona të thella ndonjëherë, por ato mospajtime gjithmonë, le të themi se i bëjnë nder vendit nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm, minimumit normal të funksionimit të institucioneve demokratike që monitorohen prej qytetarëve, por edhe botës së jashtme. Po ju bëj thirrje si kryetar i Kuvendit që të merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi të kalojmë këtë ditë të vështirë dhe momente të vështira për vendin tonë. Pra po iu thërras për një minimum të një sjelljeje, që ma merr mendja që do t’i gëzonte qytetarët e Republikës sonë nëse e shohin. Ne nuk i kemi kursyer fjalët më të rënda për njëri-tjetrin, por prapë ato janë fjalë. Por në momentin kur kalohet nga fjalët në goditje, ato si veprime pastaj nuk janë veprime që trajnohen vetëm në Kuvend. Me ato pastaj është një pushtet tjetër i veçantë që merret. A është për deputetin si postin më fisnik e denjë një sjellje e tillë. Meqenëse është kështu, bisedova edhe me kryeministrin ai po heq dorë nga fjala e tij”, tha ai.
Por partitë opozitare kërkuan ndërprerjen e seancës. Madje deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, akuzoi kabinetin qeveritar se provokoi dhunën në Kuvend.
“Ne adresuam një çështje shumë të rëndësishëm dhe nëse për ju është e parëndësishme është çështja e diskutimeve me njeriun që ka fletarrest, me Radojçiqin dhe dëshironi ta normalizoni, duke prodhuar skandal, për mua është e pafalshme...Sot nuk u gjuajt asgjë nga ana e opozitës, sot u provokua me mjete demokratike performative një akt dhe një qëndrim i një grupi opozitar, apo u flladitë më mirë me thënë në këtë temë kryeministri dhe zëvendëskryeministri. Nxitja erdhi nga zv.kryeministri. Ju e provokuat dhunën dhe eskaluat situatën këtu. Kolegët tanë u mbrojtën këtu nga kolegët tuaj”, tha ajo.
“Fatkeqësisht situata e zhvilluar paradite është një situatë shumë e rëndë, por realisht ne këto situata i kemi parë më herët jo në atë shkallë. Degradoi situata kur ministrat e sulmuan deputetin, se aktet e performancës me ujë e kemi parë kryeministrin aktual duke i gjuajtur të gjithë deputetët këtu që janë me ujë e gazë, me sprej kryeministrin në fytyrë, e askush nuk e ka sulmuar me shishe fytyrës kurrë. Pra, ministrat në vazhdimësi janë sjellë dhunshëm ndaj deputetëve, i kanë ofenduar prej vendit”, shtoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Kjo është një lloj metode, të cilën e keni praktikuar ju për vite me radhë. Madje ka qenë edhe më ekstreme. Kjo situatë ka qenë e pashmangshme, pasi sot këtu janë përballur dy ide të vjetra që kanë mbizotëruar në popullin tonë për vite me radhë. Kjo ka qenë e pashmangshme dhe do të ketë konflikt gjithmonë këtu derisa kjo ideja e mashtrimit ka me rezistuar me qenë në mesin tonë siç ka rezistu qysh ka qenë deri tani. Nuk mundet me u tejkaluar kjo situatë dhe të themi hajde tash flasim për ligje”, tha deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
Deputetët e PDK-së bllokuan sërish foltoren e Kuvendit, pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca paralajmëroi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të VV-së.
Pasi ka marrë fjalën deputeti Adnan Rrustemi, deputetët e PDK-së ia kanë hequr mikrofonin duke ia pamundësuar fjalimin.
Rrustemi ka ndërruar ulësen, por zëri i tij nuk është dëgjuar nga zhurmat e opozitarëve.
Në Kuvend, deputetët kanë shpalosur dy banerë me mbishkrimin “Zdravo” dhe fotografitë e kryeministrit Albin Kurti e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, të montuara me “hundën e Pinokios”.
Pas kësaj, ka pasur një tjetër konfrontim mes deputetëve të pushtetit me ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Fillimisht janë tërhequr mes vete deputeti i VV-së, Sali Zyba, dhe ai i PDK-së, Rashit Qalaj. Më vonë tensione pati edhe mes Hajdar Beqës së PDK-së dhe një deputeti të pushtetit.
Në një moment është parë që dikush ka hedhur shishe me ujë në drejtim të kryeministrit Kurti.