Arbëri

Kuvendi i Gjakovës detyrohet ta rithemelojë Komitetin për Politikë dhe Financa

Kuvendi Komunal i Gjakovës në një mbledhje të jashtëzakonshme sot e ka rithemeluar Komitetin për Politikë dhe Financa(KPF), pas anulimit me vërejtje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal(MAPL) për mospërfaqësim adekuat gjinor në trupën kryesore të Kuvendit Komunal.

Mimoza Shala nga Lëvizja Vetëvendosje ka tërhequr vëmendjen se "gjatë fushatave elektorale po ftohen femra për të bërë bashkë fushatë, por te emërimet po ftohen kryesisht burrat".

"Edhe në mandatin e kaluar na e ka kthy MAPL, se as 30 përqind nuk është përfaqësu femra", ka kujtuar ajo.

"Ne si LVV i kemi propozu dhe përfaqësohemi 50-50 në KPF, por kemi pakënaqësi edhe te drejtoritë, ku nuk ka përfaqësim të duhur. Për burra pozita disa llojesh, si të ishin supermena", është shprehur ajo.

Ali Tafarshiku, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje është shprehur i entuziazmuar me vendimin e MAPL-së për anulim të vendimit të parë të formimit të KPF-së.

"Shyqyr që ekziston MAPL që po i kthen shpesh vendimet në Kuvendin Komunal të Gjakovës", ka thënë ai.

Derisa ka pasur vërejtje se përse të thirrej mbledhja e së premtes si e jashtëzakonshme, kryetari Ardian Gjini ka sqaruar se mbledhja është thirrur me urgjencë, shkaku se disa anëtarë të rijnë të Kuvendit Komunal mund të humbnin mandatin pa fajin e tyre.

Në fund të seancës subjektet i kanë propozuar dhe i kanë votuar emrat e rinj për përbërjen e KPF-së sipas rekomandimit për përfaqësim adekuat gjinor, ku AAK ka propozuar 2 anëtare të gjinisë femërore, një të asaj mashkullore, LVV, 1 me 1, PDK një anëtar të gjinisë mashkullore, sikurse edhe LDK dhe PSHDK një anëtare të gjinisë femërore. Kryesuesja e KK-së, Arbnesha Kuqi është me automatizëm anëtare e KPF-së.