Arbëri

Kuvendi i Deçanit një zëri “për tokat që me presion synohen t’i jepen Manastirit”

Përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, të martën pritet të takohet me drejtues të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Këtyre të fundit, sipas informacioneve të Komunës së Deçanit, do t’u kërkohet bartja e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit, ashtu siç ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese.

Një veprim të tillë, Komuna e ka cilësuar si presion ndaj kësaj Agjencie, për çka është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme, raporton KTV.

Sipas zyrtarëve komunalë, presioni që po i bëhet Agjencisë Kadastrale të Kosovës për bartjen e rreth 24 hektarëve toke në pronësi të Manastirit, është i papranueshëm.

Asamblistët nga të gjitha partitë politike njëzëri kanë thënë se vendimi i Kushtetueses i viti 2016, i cili thotë se 24 hektar tokë i takojnë Manastirit e jo Komunës, ishte skandaloz.

Sipas tyre, ky vendim e izolon këtë komunë dhe ua shuan shpresat qytetarëve se do të ketë zhvillim ekonomik.

Pas këtyre fjalimeve , u formua një komision, i cili doli me një deklaratë të përbashkët, që u miratua me vota unanime.

Për këtë temë ka pasur interesim edhe nga qytetarët, që kanë marrë pjesë në seancën e Kuvendit komunal.

Njëri prej tyre edhe e ka marrë fjalën, duke thënë se nëse institucionet e lejojnë një gjë të tillë, janë qytetarët që në forma të ndryshme, do të kundërshtojnë që këto prona t’i marrë Manastiri.