Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë punë të papërfunduara që nga shkurti. Të hënën e 13 qershorit do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit dhe, sipas njoftimit, në të në rend dite është miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar dhe pikat e papërfunduara që nga 22, 23 e 24 shkurti, 16 marsi dhe 14 prilli.
Në rend dite për shqyrtim nga seancat e shkurtit dhe marsit janë votimi i projektligjit për vetëqeverisje lokal dhe ai i festave zyrtare.
Nga seancat tjera kanë mbetur zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, votimi i mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë.
Pikë e papërfunduar është edhe votimi i projektligjit që i hap rrugë ndryshimit të pagës minimale, ai i rishikimit të buxhetit, emërimi i komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe formimi i komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së, nga komuniteti shqiptar.
Ka ngelur edhe votimi i projektligjit për provimin e jurisprudencës, ai për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i projektligjit për pijet e forta alkoolike, atij për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor dhe atij për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve. Pika të ngelura janë edhe zgjedhja e pesë zëvendësuesve të Avokatit të Popullit dhe e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.
Kuvendi kryesisht ka dështuar t’i miratojë pikat për shkak të mungesës së kuorumit. Në shumë raste, deputetët kanë qëndruar në sallë, por nuk kanë votuar fare. Për kuorum duhen që 61 deputetë të marrin pjesë në votim.
Ndërkaq në mbledhjen e Kryesisë pritet edhe konformimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme me 20 pika. Ndër to janë shqyrtimi i projektligjit për akcizën në produktet e duhanit, i atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës, atij për Markat Tregtare, për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, si dhe ai tërheqjen nga Trusti. Në seancën e ardhshme pritet të jetë në rend dite edhe emërimi i kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.