Arbëri

Kuvendarët e Prizrenit kërkojnë të pajisen me laptopë

Asamblistë të Prizrenit kanë kërkuar disa herë që të pajisen me laptopë pasi materialet e nevojshme për mbledhjet e Kuvendit u dërgohen me email. Ata kanë shprehur vërejtjen se edhe pas më se një viti prejse i kanë marrë mandatet, nuk i kanë kushtet e punës. E zyrtarët komunalë i pranuan vonesat rreth pajisjes së kuvendarëve me laptopë, meqë ata është dashur që të ktheheshin nga ish-asamblistët

Kuvendarë të Prizrenit kanë shprehur pakënaqësi për atë se, edhe pas më se një viti që nga marrja e mandateve, nuk janë pajisur me laptopë, të cilët janë shfrytëzuar nga anëtarët e mëhershëm të Kuvendit të Komunës.

Disa prej kuvendarëve e kanë kualifikuar të domosdoshëm pajisen me laptopë, pasi që materialet e nevojshme për mbledhjet e Kuvendit u dërgohen me email.

Nëpër seancat e ndryshme ata kanë shprehur vërejtjen se pa kompjuterë nuk kanë kushte për punë.

“Nuk kemi dokument për rendin e ditës edhe dokumente shtesë, përveçqë na vijnë kopje në email. Ose na siguroni kompjuterët, ose bjerini hard-copy të gjitha dokumentet nëpër shtëpitë tona, ose këtu ne i marrim vetë fizikisht. Kështu vijmë pa asnjë dokument përpara, kushtet elementare të punës nuk i kemi”, ka thënë Faruk Tahiri, këshilltar komunale nga radhët e LVV-së.

E shefi i grupit të kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Karanfil Haxhillari, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal e përkujtoi zotimin e administratës komunale për pajisje me laptopë.

“Pastaj unë e prita që sot do të jemi me laptopë të gjithë kuvendarët në bazë të zotimit të drejtorit të Administratës. Më duket se të gjithëve na ka thënë se sot do t’i kemi, pra në mbledhjen e ardhshme, laptopët, por përsëri jemi me letra fizike”, është shprehur Haxhillari.

Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, pranoi se ka pasur vonesa në lidhje me pajisjen e kuvendarëve me laptopë, teksa ka shtuar se ata është dashur që të ktheheshin nga ish-asamblistët.

“Ne kemi bërë kërkesë te ish-asamblistët që t’i kthejnë laptopët. Kemi pasur vonesa në kthimin e laptopëve nga ish-asamblistët. Pas kthimit të laptopëve nga ish-asamblistët është marrë zyra e IT-së për riformatimin e tyre. Tani ka ardhur pika ku ne duhet të formojmë një komision për vlerësimin nëse këta laptopë janë në gjendje të rregullt, për t’u përdorur përsëri dhe nëse po atëherë do të shpërndahen menjëherë tek asamblistët aktualë”, ka bërë të ditur Hoxhaj.

Kuvendarët aktualë mandatin e tyre e kanë filluar në dhjetor të vitit 2021.

Vite më parë shkaku i moskthimit të laptopëve që u janë ndarë kuvendarëve, zyrtarë të ekzekutivit të mëhershëm lokal janë përballur me organet e drejtësisë.