Arbëri

Kushtetuesja vërteton vendimet që e obligojnë ZRRE-në t’i kompensojë qytetarët për rrymën në veri

Rryma

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, me të cilin ishte vërtetuar edhe vendim i Apelit e ai i Themelores lidhur me faturimin e energjisë së shpenzuar në veri, në faturat e qytetarëve të tjerë.

Vendimet të cilat janë vërtetuar nga Kushtetuesja e obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës me 40 milionë e 885 mijë euro.

Rasti ka të bëjë me padinë e Avokatit të Popullit për anulimin si të kundërligjshëm të vendimit të 6 shkurtit të vitit 2012 të ZRRE-së “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike” si dhe kërkesën për kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Që të gjitha shkallët kishin vendosur pro padisë së Avokatit të Popullit.

Të hënën Kushtetuesja ka publikuar aktgjykimin për këtë rast të parashtruar nga ZRRE-ja, e cila kishte kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit 9 marsit 2023 të Gjykatës Supreme.

“Gjykata, njëzëri, konstatoi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) Aktgjykimi [Arj.nr.116/2022] i 9 marsit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Kushtetuese.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë për KOHËN, se pasi sot është publikuar vendimi, nesër gjatë ditës do ta analizojnë dhe do të shohin se si do të veprojnë tutje.

Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore kishte anuluar si të kundërligjshëm vendimin ZRRE-së dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës për periudhën 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017, në vlerën prej 40 milionë e 855 mijë e 480 euro.

Konstatimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

“Avokati i Popullit para gjykatave të rregullta kishte pretenduar, ndër tjerash, që (i) faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët e tjerë që banojnë në komunat tjera të Republikës së Kosovës, paraqet shkelje të Ligjit nr.05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë dhe Ligjit nr.05/L-085 për Energjinë Elektrike; dhe (ii) kjo praktikë e faturimit paraqet shkelje të së drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe shkelje të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 “Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore” të Kushtetutës dhe Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, sepse thuhet se nuk ka pasur qëllim legjitim dhe proporcionalitet ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

https://mail.google.com/mail/u/1/#inbox/FMfcgzGxSHfbwsgSSgCdnZkmcsNSwKdK?projector=1&messagePartId=0.7