Arbëri

Kushtetuesja shfuqizon Ligjin për KPM-në, i jep dritë të gjelbër Ligjit për KPK-në

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që të shfuqizojë Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), ndërkohë që i ka dhënë dritën e gjelbër për dekretim nga presidentja Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Të dy ligjet ishin dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë nga deputetët e legjislaturës së kaluar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, pesë nene të ligjit për KPM-në bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. 

Paragrafë të nenit 15 “Zgjedhja e anëtarëve të KPM-së, nenit 18 “Shkarkimi i kryetarit dhe anëtarit të KPM-së”, nenit 25 “Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre”, nenit 43 “Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave” dhe të nenit 60 “Sanksionet me gjobë”, sipas vendimit janë në kundërshtim me Kushtetutën.  

“Gjykata, njëzëri ka vendosur (i) të deklarojë kërkesat të pranueshme; si dhe (ii) të konstatojë se, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të paragrafit 1 të nenit 15 (Zgjedhja e anëtarëve të KPM) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iii) të konstatojë se, nën-paragrafët 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3 të nenit 18 (Shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarit të KPM-së) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë se, nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të konstatojë se, pika 1.2.1  dhe pika 1.2.24, e nën-paragrafit 1.2 të paragrafit 1 dhe pikat 1.3.5 dhe 1.3.6 të nën-paragrafit 1.3 të paragrafit 1 të nenit 60 (Sanksionet me gjobë) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë se Ligji i kontestuar, shfuqizohet; si dhe (vii) të refuzojë kërkesat për masë të përkohshme”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë për vendimin për Ligjin për KPM-në:

Ndërkohë që nenet e kontestuar të Ligjit për KPK-në janë shpallur në pajtim me Kushtetutën. 

“Gjykata ka vendosur, (i) njëzëri, të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë, me gjashtë vota për dhe një kundër, se nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë për vendimin për Ligjin për KPK-në:


S’e komenton shfuqizimin e Ligjit për KPM-në, Haxhiu: Vendimi për Ligjin për KPK-në, fitore e madhe për reformën në drejtësi

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritë të gjelbër Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke e cilësuar fitore të madhe për reformën dhe tërë sistemin e drejtësisë. 

“Pas një përpjekjeje e rruge tejet të gjatë, të ballafaquar me jo pak sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa, sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar dhe ka validuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kjo është një fitore e madhe, një fitore për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë. Rrjedhimisht KPK-ja nuk do të funksionojë tutje bazuar në interesat grupore, politike e klanore, dhe nuk do ta ketë përbërjen korporatiste dhe të pabalancuar e të dominuar pothuajse 100% me prokurorë, e të cilat, vetëm dëme të pa-riparusheme i sollën vet sistemit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, ndryshimet e tilla do t’i sjellin sistemit profesionalizëm dhe integritet, transparencë dhe llogaridhënie me synim të rritjes së efikasitetit profesional, rritjes së integritet dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. 

Haxhiu nuk ka komentuar mbi shfuqizimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, ku sipas njoftimit të Kushtetueses, pesë nene të Ligjit për KPM-në bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.