Njëzet e pesë ligje janë bllokuar në Gjykatën Kushtetuese disa për përmbajtje e disa për procedurë. Deri në vendim të Gjykatës, ato nuk do të vihen në zbatim. Vonesat në vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre theksohet se do të sjellin pasoja për qytetarët. Në një rast ka drojë se kërcënohet edhe organizimi me kohë i lojërave mesdhetare
25 ligje të miratuara gjatë kësaj legjislature ende nuk janë vënë në zbatim, si pasojë e kontestimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Disa prej tyre janë atakuar në tërësi, disa pjesërisht teksa disave u është kontestuar mënyra e miratimit në Kuvendin e Kosovës. Aktualisht, Gjykata e ka në vlerësim kushtetutshmërinë e përmbajtjes së 10 ligjeve, 5 nga të cilat janë dërguar nga partitë opozitare, 4 nga Avokati i Popullit e një nga Gjykata Supreme.
Nga opozita, në kushtetuese është atakuar Ligji për Fondin Sovran, për Komisionin e Pavarur të Mediave, Ligji për Këshillin Prokurorial, Ndryshimet e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. E nga Supremja dhe nga Ombudspersoni në Kushtetuese janë dërguar Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, Ligji për Avokatinë, Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore, Kodi Doganor dhe i Akcizave, si dhe është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së disa neneve të Ligjit për plotësim-ndryshimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative.
“Këto kërkesa janë duke u trajtuar nga Gjykata. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, është thënë në përgjigje të Gjykatës Kushtetuese.
15 ligjeve të tjera që janë në Gjykatë, opozita ua ka kontestuar mënyrën e miratimit në seancën e 5 dhjetorit të vjetëm, kur pushteti i pati kaluar me shpejtësi 20 ligje, pa praninë e opozitës.
Në mungesë të vendimit të Gjykatës, kanë mbetur pa hyrë në fuqi disa ligje të rëndësishme, si ai për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, Ligji për banim social dhe të përballueshëm, ai për Gjykatën Administrative dhe Ligji për lojërat mesdhetare.
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se ka pasoja nga vonesat e fuqizimit të këtyre ligjeve dhe fajin për këtë ia ka vënë pushtetit.
“Shumica parlamentare, po atë ditë vendosi që t'i shmangë të gjitha procedurat, pa e pasur edhe opozitën brenda në sallë dhe kjo pastaj pati pasojat e veta, që ato u dërguan në Gjykatë Kushtuese. Në ndërkohë, pasojat për secilin ligj veç e veç do të vërehen ose tashmë janë të vërejtshme”, është shprehur Jakaj.
E pasojat e vonesës së hyrjes në fuqi të një ligji të vetëm, atij për Lojërat Mesdhetare 2030, i ka treguar zëvendësministrja e Kulturës dhe Sportit, Daulina Osmani.
Ajo ka thënë se në këtë kohë, Kosova do të duhej të ishte në strukturë funksionale të organizimit të këtyre lojërave, për të cilat ka marrë përgjegjësi.
“Dëmet do të thellohen. Kjo do t'i sjellë edhe kosto financiare ekstra Kosovës, se çdo gjë që niset me vonesë kushton më tepër, nuk është e pabëshme, mirëpo ka kosto më të madhe, e aq më tepër po flasim për një shoqëri si kjo e jona që e kemi edhe mungesë përvojën e organizimeve kaq madhore dhe do të duhej të ishim qysh tash në zbatim e sipër”, ka thënë Osmani.
Për t’i shmangur dështimet e mundshme në organizimin me kohë të Lojërave Mesdhetare, zëvendësministrja Osmani ka thënë se duhet marrë njëri nga dy veprimet.
“O të tërhiqet ankesa, ashtu siç jep të drejtë Kushtetuta e Kosovës, apo, në rast tjetër, Gjykata Kushtetuese të veprojë me prioritet në aspekt të trajtimit të këtij ligji”, është shprehur ajo.
Me gjithë problemet, Jakaj ka thënë se është e arsyeshme koha që po e merr Gjykata për të vendosur lidhur me çështjen.
“Për herë të parë në Republikën e Kosovës po vlerësohet kushtetutshmëria e ndjekur me rastin e miratimit të këtyre projektligjeve dhe për të parë se nëse është shkelur Kushtetuta e Kosovës, atëherë Gjykata Kushtetuese i vyen kohë më e madhe se koha prej dy muajve që të bjerë pastaj edhe një aktgjykim meritor”, ka thënë Jakaj.
Gjykata Kushtetuese, në procedurë të shqyrtimit, përveç ligjeve, ka edhe çështje të tjera. Gjithsej, në procedurë të shqyrtimit kjo Gjykatë i ka 264 lëndë. Prej tyre, 33 janë kërkesa institucionale dhe 231 janë individuale.