Arbëri

Kushtetuesja e kthen në Supreme për lejet ujore e mjedisore për hidrocentralet në Shtërpcë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta rikthejë në Supreme rastin e lejes ujore dhe mjedisore për hidrocentralet në Shtërpcë.

Sipas vendimit të Kushtetueses, aktgjykimi i Supremes, që kishte vendosur që të pezullohet dhënia e lejeve ujore e mjedisore nga Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit dhe Ekonomisë e Ambientit për hidrocentralet në Shtërpcë, përfshirë atë “Brezovica”, të plotësohet edhe me mendim konkurrues.

Organizatat joqeveritare GLPS dhe GAIA kishin dërguar padi në Supreme kundër lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, sepse ishte e vetmja që kishte pranuar leje ujore nga Ministria e Mjedisit, edhe pse që leje ujore kishin kërkuar edhe hidrocentralet tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi [ARJ. nr. 116/2021] i Gjykatës Supreme i 28 tetorit 2021 është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së një vendimi gjyqësor të arsyetuar dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, dhe e ktheu rastin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Organizatat joqeveritare kishin dërguar fillimisht rastin në Themelore, e cila kisht e vendosur të pezullohen lejet ujore e mjedisore deri në një vendim të plotëfuqishëm. Më pas vendimi u rikthey në shkallë të parë nga Gjykata e Apelit.

Themelorja sërish kishte marrë vendimin e njëjtë, ndërsa Apeli e ndryshoi vendimin e Themelores duke anuluar kërkesën e organizatave joqeveritare për pezullim të lejeve ujore.

Rasti shkoi në Supreme, e cila vendosi që të miratonte kërkesën e organziatave joqeveritare për pezullimin e lejeve ujore.

Por, Kushtetuesja ka rikthyer në Supreme çështjen.

“Gjykata, duke bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të rrethanave të rastit konkret konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme në lidhje me aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, nuk i ka shqyrtuar plotësisht dhe qartë faktet vendimtare dhe kërkesat ligjore të përcaktuara në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat i referohen lejimit të shtyrjes së ekzekutimit të dy vendimeve të Ministrisë kompetente për mjedisin, dhe si rrjedhojë të njëjtat janë përfshirë me interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, që rezultoi në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës. Gjykata gjithashtu theksoi që tashmë praktika e saj gjyqësore në këtë kontekst është tejet e konsoliduar, dhe ka mbajtur qëndrim të njëjtë edhe në tri Aktgjykime paraprake, përkatësisht në rastet KI75/21, parashtrues: “Abrazen LLC”, “Energy Development GroupKosovaLLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, Aktgjykim i 19 janarit 2022; KI202/21, parashtrues: “Kelkos Energy” sh.p.k, Aktgjykim i 29 shtatorit 2022; dhe KI143/22, parashtrues: Hidroenergji sh.p.k., Aktgjykim i 15 dhjetorit 2022, duke theksuar, ndër tjerash, që vendosja e masave të përkohshme, përkatësisht pezullimi i ekzekutimit të vendimeve deri në zgjidhjen meritore të rastit, duhet të jetë i arsyeshëm, proporcional dhe i bazuar në një arsyetim të detajuar të përmbushjes së kritereve të përcaktuara në këtë kontekst, në dispozitat e Ligjit për Konfliktet Administrative. Gjykata tutje theksoi se, Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin e vendimeve të kontestuara për lëshimin e lejes ujore dhe asaj mjedisore nga Ministria përkatëse për Mjedis në gjykatat e rregullta, deri sa këto të fundit të vendosin lidhur me meritat e padisë. Çështja e ligjshmërisë së vendimeve të kontestuara të Ministrisë përkatëse për Mjedis është në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast në asnjë mënyrë nuk paragjykon vendimmarrjen e tyre përkitazi me padinë ndaj vendimeve të kontestuara të kësaj ministrie”, thuhet nga Kushtetuesja.