Arbëri

Kushte të këqija në vendvotimet e Leposaviqit, diku pikonte uji e diku ngroheshin me dru

Kushte të këqija i kanë përcjellë disa prej qendrave të votimit në Leposaviq. Në njërën prej tyre, vendvotim i caktuar për Lulzim Hetemin ka pikuar uji e ka qenë pa rrymë e ngrohje. E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka kritikuar Listën Serbe që ka bërë thirrje për bojkotim të procesit të votimeve.

Ujë ka pikuar prej tavanit të qendrës së votimit në Koshtovë në ditën kur është votuar për shkarkimin e kryetarit të Leposaviqit.

Kjo ishte  qendra e votimit ku në listë ishte emri i kryetarit Lulzim Hetemi.

Në mungesë të kushteve komisionarët  ngroheshin nga një zjarr me dru e gjeneratori  që ishte për ta mbajtur ndezur kamerën e sigurisë, që është standard i ri me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për zgjedhjet, nuk punoi.

Komisioni komunal zgjedhor tha se i ka përcjellë shqetësimet e tij në KQZ, por se nuk i kanë bërë zgjidhje për krejt çfarë kanë kërkuar. 

“Siç po e shihni edhe vetë edhe nga komisionerët jemi të ftohur...Për energjinë elektrike na janë përgjigjur, na e kanë sjellë një gjenerator, mirëpo pas një ore punë ai u fik dhe nuk po ndezur më. I kemi lajmëruar organet përkatëse, nuk kemi marrë përgjigje ende”, ka  thënë Albert Bekteshi, kryesues i Qendrës së Votimit në Kushtovë.

Në kushte shumë më të rehatshme kanë qenë pak kilometra më larg komisionerët në fshatin Bistricë të Shalës, vendlindjen e Lulzim Hetemit. Por ngjashëm, votuesit shqiptarë pakicë në këtë komunë, nuk votuan.

Edhe në Dren në veri të Leposaviqit, fshat i banuar me serbë, ku si qendër e votimit u shfrytëzua objekti i ish-ndërmarrjes “Univerzal”, pati ankesa të ngjashme.

 “Rrymë, jo nuk ka, objekti është i komunës është i pashfrytëzuar  kështu që e kanë adaptuar sa për zgjedhje, kurse kamerat po, me gjenerator e kemi kamerën dhe është funksionale, mirëpo numri i votuesve meqë votues nuk kemi ndonjëherë po e ndërpejmë vetë se nuk ia vlen ta lëmë gjithë ditën”, ka thënë Afrim Krasniqi, kryesues i Qendrës së votimit në Dren. 

Në vendvotimin në fshatin e tij, Soçanicë, votoi zëvendësministri për komunitete dhe kthim, Radoica Radomiroviq.

Para se të shkonte për të votuar ai u ndal të bisedonte me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili pati kritika për Listën Serbe.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, ka thënë Krasniqi. 

Rreth gjysma e votave në nivel të Leposaviqit, që kishte tetë vendvotime u vendosën në kutitë e objektit kryesor të komunës të kësaj komune prej pjesëtarëve të komunitetit serb.

Aty disa vendvotime u hapën me rreth 20 minuta vonesë, e zyrtarët e komisionit komunal zgjedhor i arsyetuan vonesat me shtrirjen e gjerë territoriale të kësaj komune.