Arbëri

Kushte jo të mira të banimit në Konviktin e nxënësve në Kamenicë

Kushtet e banimit në Konviktin e nxënësve në Kamenicë vlerësohen se nuk janë të kënaqshme. Deri tani nuk është investuar asnjë cent në renovimin e objektit të Konviktit i cili daton që nga viti 1980.

Me lehtësi vërehen dëmtimet në këtë objekt 40-vjeçar, ku nxënësit ankohen se tualetet dhe hapësirat për pastrim janë jashtë çdo standardi.  Kurse personeli tjetër i Konviktit thekson se është e nevojshme renovimi i objektit, ku përfshihen zëvendësimi i dyerve dhe dritareve dhe rregullimi i nyjeve sanitare. 

Këtë vit në këtë konvikt janë duke qëndruar 15 nxënës, të cilët janë duke vijuar procesin mësimor në shkollat e qytetit në Kamenicë. 

Nxënësit e regjistruar në konviktin “Gjon Sereqi”  janë nga zonat e thella rurale. Drejtori i këtij konvikti, Njazi Kastrati deklaron se nga buxheti komunal mbulohen shpenzimet e nxënësve ku përfshihet banimi dhe ushqimi falas. Thotë se në katër dekada të ekzistimit si konvikt në këtë objekt janë vendosur kategori të ndryshme për shkak të ndryshimeve politike të cilat kanë ndodhur në Kosovë. 

“Në vitin 1981 është vendosur policia federale e ish-Jugosllavisë. Pastaj konvikti është  hapur në vitin 1983 pasi janë larguar policia federale. Në vitet e 90-ta janë vendosur refugjatët nga Serbia. Kurse pas përfundimit të luftës në vitin 2000 është rihapur konvikti. Objekti është demoluar për shkak se nuk ka pasur investime. Problemin më të madh e kemi me nyjet sanitare dhe mendoj se është dashur një renovim” ka thënë ai.

Kastrati deklaron se këtë vit shpenzimet e konviktit janë 13 mijë euro ku mbulohen ushqimi, rryma, drutë për ngrohje etj. “Konvikti është ndërtuar për t’i mundësuar nxënësve të fshatrave kodrino malore që për shkak që nuk kanë mundësi të udhëtojnë ata kanë një mundësi tjetër për të qëndruar në konvikt. Nxënësve u ofrohet ushqim, mund të pastrohen kanë ujë të ngrohë kanë edhe ujë të pijshëm”, ka shtuar Kastrati.

Ndërsa nxënësit në këtë konvikt nuk janë të kënaqur me kushtet e banimit. Sipas tyre mungon sistemi i ngrohjes në këtë objekt dhe ngrohja realizohet përmes stufave klasike.  Ata vlerësojnë se hapësirat për pastrim nuk plotësojnë asnjë standard poashtu edhe tualetet. “Kushtet nuk janë të mira siç po e sheh vazhdojmë të ngrohem me dru nga stufat. Edhe dritaret nuk është se janë të mira. Ka edhe probleme tjera”, ka thënë njëri nga nxënësit të cilët nuk deshën të prononcohen me emra. 

Kurse pushteti komunal në Kamenicë arsyetohet se në mungesë të buxhetit ata nuk kanë mundur të investojnë në renovimin e objektit. Zëdhënësja për informim e komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti deklaron se ata janë në bisedime me organizata ndërkombëtare me qëllim që të arrihet një marrëveshje për investim.  Mirëpo deri tani nuk ka diçka konkrete. 

“Rrjedhimisht, kushtet infrastrukturore në konviktin ku qëndrojnë nxënësit nuk janë aspak të mira, por buxheti i vogël i komunës na e pamundëson  renovimin në këtë objekt. Si qeverisje, jemi duke u angazhuar që sa më shpejt të bëjmë një zgjidhje për objektin në fjalë, në mënyrë që nxënësve t’u krijojmë kushte më të mira banimi. Momentalisht jemi në komunikim e sipër me disa organizata ndërkombëtare por që aktualisht nuk kemi diçka zyrtare. Në momentin që kemi diçka të tillë, do e bëjmë publike”, ka thënë ajo.