Arbëri

MD-ja duhet t’i ndryshojë dy ligje që procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit të jetë i besueshëm

Edhe gjashtë muaj mandat i kanë mbetur kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi, në krye të institucionit më të rëndësishëm të hetuesisë. E kush do të jetë kryeprokuror i ri i shtetit varet nga ajo nëse Ministria e Drejtësisë brenda 90 ditësh, para se të hapet konkursi, do të mund t’i ndryshojë dy ligje që sigurojnë që ky proces të shkojë mirë

Vetëm gjashtë muaj kanë mbetur deri në përfundimin e mandatit të kryeprokurorit të shtetit, Aleksander Lumezi. Konkursi për kryeprokurorin e ri duhet të shpallet së paku tre muaj para se kryeprokurorit aktual t’i skadojë mandati. Po aq muaj në dispozicion ka edhe Ministria e Drejtësisë që të ndryshojë dy nga ligjet bazike, që do të mund të garantonin që ky proces të shkojë mirë.

Ndonëse tashmë janë në agjendë të kësaj ministrie, nuk dihet nëse për 90 ditë do të mund të ndryshohet Ligji për Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial.

Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar që në kuadër të prioriteteve të këtij institucioni ka qenë dhe janë edhe këto ndryshime ligjore.

“Tashmë nuk jemi vonë, sepse ende nuk ka filluar gara. Por sidoqoftë ajo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që të rregullohet dhe të bëhet një reformë substanciale brenda sistemit prokurorial, kjo nënkupton edhe Këshillin Prokurorial. Kemi qenë dëshmitarë se kemi pasur telashe të vazhdueshme dhe kanë qenë edhe përgjimet që shpërfaqin nevojën për reagim në këtë institucion”, ka deklaruar Nimoni.

Ka vite që pjesë e diskutimit publik është kërkesa që fillimisht të ndërrohet përbërja e anëtarëve aktualë të Këshillit Prokurorial, e pastaj të votohet për kryeprokurorin e shtetit, e me ligj t’u pamundësohet ish-anëtarëve që për një kohë të konkurrojnë për këtë pozitë. Kjo kërkesë publikisht pati ardhur edhe nga institucione ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

E nëse ndryshimet ligjore nuk do të arrijnë të finalizohen deri në shpalljen e konkursit, sipas Ehat Miftarajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, edhe zgjedhja e kryeprokurorit të ri mund të përfshihet në shkelje të ndryshme.

“Drejtësia nuk është që mund t’i bëjë gjërat në mënyrë arbitrare. Në momentin që fillon procesi për kryeprokuror të shtetit nëse e shpall konkursin KPK, çdo vendim që mund ta marrë Ministria e Drejtësisë, pastaj mund të konsiderohet ndërhyrje... Nuk mundet që ndryshimet ligjore që të bëhen në shkurt a në mars e pastaj Ministria e Drejtësisë të thotë se duhet të ndryshojë procedura se tani kemi një ligj të ri”, ka deklaruar Miftaraj.

KOHA e ka pyetur Këshillin Prokurorial të Kosovës se kur do ta hapë konkursin për këtë pozitë, por ata kanë deklaruar se një gjë e tillë do të ndodhë së paku 3 muaj para skadimit të mandatit të Lumezit, pa sqaruar nëse do të presin ose jo ndryshimet ligjore. Lumezi nuk ka më të drejtë rizgjedhjeje.

Ambasada Amerikane e pati quajtur procesin e zgjedhjeve në KPK të prishur.

“Për vite, Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për të zgjedhur kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur rrënjësisht”, thuhej në njoftimin e Ambasadës.

Sipas Ambasadës, teksa vazhdimi i pjesëmarrjes në këtë proces do të mund të keqinterpretohej si përkrahje e këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim më pjesë në të.

“Prokurorët duhet të zgjidhen mbi bazën e kualifikimeve të tyre, jo përkatësive politike apo lidhjeve. Ndërrimet në kornizën ligjore të KPK-së janë të domosdoshme për kthimin e transparencës dhe drejtësisë në këtë sistem. Rrjedhimisht, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbështesin përpjekjet e ministrit të Drejtësisë që ta përmbyllin menjëherë Rishikimin Funksional”.

Një reagim kaq i ashpër i kësaj ambasade pati ardhur për shkak që njerëzit e njëjtë, që ishin pjesë e KPK-së, jepnin dorëheqje pak para se të zgjidheshin kryeprokurorët, për të marrë këto pozita. Në këtë mënyrë kolegët e tyre - anëtarë të KPK-së votonin të dorëhequrit, ndërsa ata i zëvendësonin njerëz të afërt të tyre në KPK.

Kryeprokurori special, Blerim Isufaj, ka qenë anëtar i KPK-së. Disa ditë para se të hapej konkursi për pozitën që sot e mban ai ishte dorëhequr. Siç kishte raportuar KOHA, “marrëveshja e fshehtë” ishte që Isufaj të votohej për kryeprokuror e vendin e tij si kryesues i KPK-së ta zinte Bahri Hyseni, gjë që edhe pati ndodhur.

Aleksandër Lumezi ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2014, e si platformë kishte prezantuar luftën ndaj korrupsionit, por deri në fund të mandatit nga organizata vendore e ndërkombëtare Kosova është kritikuar për mungesë rezultatesh pikërisht në këtë fushë. Kryeprokurori i shtetit ka mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Vitin e kaluar, kur ishte gara për kryeprokurorë të Prokurorive Themelore dhe asaj Speciale, si dhe anëtarëve të rinj të KPK-së, pati reaguar ashpër Ambasada Amerikane.