Arbëri

Të enjten seancë plenare, Kusari-Lila: S’ka kohë për komisione të reja hetimore

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila

Foto: Alban Bujari

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se në sesionin vjeshtor nuk ka kohë që të formohen komisione të reja hetimore, pasi për pak muaj do të përfundojë mandati i kësaj legjislature.

Kështu është shprehur ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, ku u vendos që më 26 shtator të mbahet seanca plenare me pikat e papërfunduara të seancave të kaluara. 

Ajo ka shtuar se është vendosur gjithashtu edhe miratimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

“U dakorduam që te vazhdojë një seancë më 26 shtator me pikat e papërfunduara. Janë tri marrëveshje ndërkombëtare, 28 pika për shqyrtim. Nuk ka hapësirë të mjaftueshme që të përmbyllet puna e një komisioni hetimor”, ka thënë Kusari-Lila, raportoi EO.


Tahiri: Kërkuam seancë për shkarkimin e bordit të RTK-së por nuk u mundësua, të ndiqen penalisht

Shefi e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në mbledhjen e së hënës të Kryesisë së Kuvendit kanë kërkuar që të shkarkohet Bordi i RTK-së.

Në adresimin për media pas mbledhjes së Kryesisë, Tahiri e ka lidhur kërkesën e tij me publikimin e një lajmi nga mediumi publik.  

Ai ka bërë thirrje që personat përgjegjës të ndiqen edhe penalisht.

“Edhe sot kemi pritur që administrata ta sjellë për diskutim e Kryesia t’i propozojë një çështje të tillë, por Komisioni po e zvarrit një çështje të tillë. Shpresojmë që kjo çështje të diskutohet sot ose nesër, meqenëse jo në këtë javë në javën që vjen të vihet në diskutim shkarkimi i këtyre njerëzve të papërgjegjshëm që kanë shkaktuar dëm të madh. Nuk duhet lejuar që këto gjëra të ndodhin në një televizion që paguhet nga taksat e qytetarëve tanë”, u shpreh Tahiri, raportoi EO.


Tahiri: Ligji për Zyrtarët Publik s’duhet të kalojë, i bëhet dëm i madh Kosovës

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se në seancën e radhës që do të mbahet më 26 shtator, do të votohet Projektligji për Zyrtarët Publikë.

Sipas tij, Qeveria nuk po heq dorë nga votimi i këtij projektligji pavarësisht komenteve të BE-së që të mos kalojë në këtë mënyrë.

Ai ka thënë se me këtë projektligj, Qeveria po synon ta kapë administratën shtetërore dhe si i tillë nuk duhet të kaloj.

“Në rend dite është votimi për ndryshimin dhe plotësim për Ligjin për Zyrtarët Publikë. Edhe përkundër faktit që ka pasur një koment nga BE-ja, nga Komisioni i Venecias vazhdon kjo Qeveri që përmes këtij ligji ta kapë administratën e Kosovës. Kjo Qeveri vazhdon të ketë një numër të madh të U.D. Ky ligj duhet të bie dhe nuk duhet që të kalojë, sepse i bëhet një dëm i madh Kosovës”, ka thënë ai, raportoi EO.