Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka arsyetuar fjalën “brate (vëlla)” të përdorur në mesazhet e saj, të publikuara në media, me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Kusari-Lila ka thënë se kjo fjalë në serbisht e ka kuptimin e mikut.
Ajo tutje ka thënë se e ka përmendur këtë fjalë në kuptimin e bisedës së lirë, ashtu siç thotë se e përdorë me deputetët e tjerë.
“Për të gjithë që e flasin gjuhën serbe ose malazeze e dinë kuptimin e fjalës ‘brate’ që nuk do të thotë fjalë e vëllait në veçanti, por fjalë e mikut. Në mënyrën se si përdoret si sinonim i bisedës së lirë, në kuptimin e tillë. Se sikur të ishte vëlla, sikur të ishte ai bashkëpunim ashtu siç po mundohet të aludohet, ai bashkëpunim do të vazhdonte. Gjuha është një komunikim me të cilën unë sot do ta kem një komunikim me cilindo deputet në përgjithësi, si nga pozita si nga opozita, pasi unë komunikoj lirshëm me të gjithë. Në gjuhën serbe dhe malazeze, në të dyja përdoret dhe kjo ka qenë në atë rrjedhë të diskursit të komunikimit. Unë nuk e flas gjuhën shumë mirë, kuptohem mirë. E kam mësuar që në fëmijëri ku jam rritur në Pejë, e kam rifreskuar në masë të madhe kur jam bërë zëdhënëse e Qeverisë në vitin 2003-2004 për shkak të shumë rrethanave”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila: Koha do të tregojë nëse ka apo jo foto të politikanëve në vilën e Radoiçiqit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar pretendimet që kishte bërë në seancë në Kuvendin e Kosovës gjatë të cilës kishte thënë se ka pamje të politikanëve të opozitës në përurimin e shtëpisë së kryeterroristit Milan Radoiçiq.
“Kam pyetur përfaqësuesit e opozitës, kur bënin britma të ndryshme, se a thua çfarë do të thoshin ata sikur të kishin parasysh apo shihnin video apo materiale nga përurimi i shtëpisë së tij (Radoiçiqit). E ardhmja do e tregoj këtë. Koha do të tregojë nëse ka foto apo video. Do të dëshmoj koha”, ka thënë Kusari-Lila në “Konfront” të KTV-së.
Radoiçiq kishte pranuar se qëndronte prapa sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Ndaj tij ka urdhër arrest ndërkombëtar.
Kusari-Lila: Kam kërkuar nga prokuroria që materialeve t’u bëhet ekspertizë jashtë vendit
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ka kërkuar nga prokuroria superekspertizë të audio-incizimeve që kanë dalë nga komunikimet e saj me Slavko Simiqin.
“Unë kam kërkuar në kallëzimin penal që e kam dorëzuar kam bërë kërkesë prokurorisë së shtetit që të bëhet edhe superekspertiza. I qëndroj prapa deklarimit, kërkoj superekspertizën dhe kjo bëhet jashtë Kosovës”, ka thënë ajo në “Konfront”.
Kusari-Lila ka shtuar se audiot e publikuara në media janë të falsifikuara dhe se nga analiza me programe që u janë bërë atyre kanë dalë se janë “copy-paste” të zërit të saj dhe jo bisedë e zhvilluar ashtu siç është publikuar.
“Ato janë copëza të ndara të bisedës me Simiqin, ndërsa ndërlidhja dhe pjesa tjetër e shtuar me Radoiçiqin janë pjesë që janë të vendosura që e bëjnë dallimin mes ambientit, zërit, në veçanti konfirmimet e mia që kanë dalë se janë copy-paste të vetë zërit tim ‘da-da’... Nga analizat përmes programeve në tregojë interferenca në sekondat e zërit ku vërehen valët e zërit që tregojnë ndërprerje të qartë, toni ndryshon papritur dhe këtë nuk e dëgjojmë me veshin tonë, këto janë vlerësime përmes pajisjeve të veçanta në softuer që e bëjnë vlerësimin e autenticitetit të audios”, ka potencuar ajo.
Kusari-Lila arsyeton bisedën me Radoiçiqin, sipas saj u bë për shkak të rrymës në veri
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kryeterroristi Milan Radoiçiq në mënyrë të njëanshme ofroi gatishmëri për të garantuar siguri për zyrtarët e KOSTT-it të cilët do të zhvillonin takim me homologët e “Elektroseverit” në trafo-stacionin në Vallaq. Kjo ka qenë hera e vetme, që ajo thotë se ka komunikuar me të.
Në një intervistë në “Konfront”, Kusari-Lila u pyet se pse komunikoi me Radoiçiqin kur nuk përfaqëson ndonjë autoritet.
“Ka qenë insistim i Simiqit, që për prezencën e zyrtarëve të KOSTT-it në Vallaq, mund të garantojnë siguri. Jemi duke folur për kohën kur s’ka pas qarkullim të lirë në veri, maj i vitit 2022. Dhe ka insistuar, përkundër faktit që nuk është në Kosovë (Radoiçiqi), mund të jep garanci që këta zyrtarë të shkojnë atje pa problem. Në Vallaq kanë qenë edhe zyrtarët e “Elektroseverit” dhe kjo ka qenë në kontekst të kësaj bisede. Ai diskutim është zhvilluar në gjuhën shqipe. Kjo ka qenë tendencë e Listës Serbe për të krijuar komunikimin që mund t’i sjellë atij (Radoiçiqit) përparësi të tjera, gjë që s’ka ndodhur. Para se të ndodhte komunikimi, ka pasur kërkesa nga Lista Serbe në raport me Radoiçiqin dhe asnjë prej atyre kërkesave nuk ka vazhduar tutje”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila këmbënguli se komunikimi me Listën Serbe “ka përfunduar për dy-tre javë në tërësi”.
“Biseda nuk është zhvilluar për të dhënë garanci, por ai (Radoiçiqi) ka insistuar t’i japë. Ka qenë komunikim pas së cilit s’ka pas as edhe një veprim nga ana ime. Menjëherë është kuptuar edhe prej anës së tyre që s’ka me pas hapësirë për bashkëpunim, gjë e cila e ka sjellë edhe betejën e tij kundër Qeverisë Kurti”, ka shtuar ajo.
Kusari-Lilës iu publikuan disa komunikime dhe biseda-audio nga portali “Paparaci”, ku ajo koordinohet për disa nisma në Kuvend me ish-deputetin e Listës Serbe, Simiq dhe Radoiçiqin.
Kusari-Lila: Biseda në zyrë me Simiqin është e montuar
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se biseda në zyrë me ish-deputetin nga Lista Serbe, Slavko Simiq, e publikuar në media, është e montuar.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Kusari-Lila ka thënë se kjo bisedë është e edituar sipas dëshirës së autorit për ta prezantuar atë në publik.
“Vitin e kaluar nuk e kam kontestuar vërtetësinë në kuptimin e materialit që është publikuar, por ka qenë evidente që nuk ka qenë një bisedë e tërë, ka pasur shumë ndërprerje dhe janë vënë tituj të bisedave sipas vullnetit, dëshirës apo qëllimit të autorit. Në zyrë ka ndodhur biseda si e plotë. Ajo çfarë ndodhi këtë vit dhe ajo çfarë u paralajmërua fillimisht, në momentin kur është publikuar më 1 qershor nga i njëjti portal si i vitit të kaluar, e ka pasur vetëm një përshëndetje që synonte ta hidhte poshtë faktin që unë kam deklaruar se ka qenë vetëm një bisedë që e ka përçuar Slavko Simiq në zyrën time përmes telefonit të Milan Radoiçiq dhe i cili është drejtuar fillimisht në gjuhën shqipe, ndërsa biseda që është publikuar, ka pasur elemente të bisedës telefonike, jo e njëjta me atë dhe aty e kam pasur dyshimin e parë se kjo është manipuluar. Biseda që ka ndodhur në zyrë është këputur, është ngjitur sipas dëshirës, sipas objektivit që e ka pasur portali për ta prezantuar temën në fjalë”, ka thënë ajo.