Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas paralajmërimit nga PDK-ja se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese tërë seancën e kaluar të Kuvendit, ku ndër të tjera u votua edhe Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kishte thënë se 20 ligjet e miratuar në seancën e fundit të Kuvendit do t’i çojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk kam çka komentoj tani për paralajmërimet e PDK-së, ata tashmë kanë tregu çka i brengos, Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Ndërsa paralajmërimi për dërgimin e tërë seancës në Kushtetuese është farsë për të mbuluar qëllimin e tyre të vërtetë, pengimin e themelimit të Byrosë. Sikur të kishin pasur me të vërtetë interesim për demokraci dhe procedura, kishin qëndruar në seancë dhe do të ishin mundu me kontribuar aty. Por, në pamundësi të ndalimit të punës së Kuvendit, po mundohen me mekanizmat e gjykatës me krijuar pengesa të reja. Por të kotë e kanë, të njëjtën e kanë provuar edhe më parë dhe nuk kanë pasur sukses. Fatkeqësisht për demokracinë tonë, destruktiviteti ka qenë parim udhëheqës i tyre në këtë mandat”, tha Kusari-Lila për KOHËN.