Deputetja e zgjedhur nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se insistimi i partive opozitare të deritanishme, që të shkohet në votim për konstituim të Kuvendit pa pasur konsultim, ishte absurd dhe banal. Ajo ka thënë se me këto veprime, opozita nuk po e lë VV-në që të tregojë se a i ka numrat e nevojshëm apo jo. Se a do t’ia mundësojë Nisma Socialdemokrate që t’i mbërrijë 61 vota, ajo ka thënë se këtë do ta tregojë me kohë kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Kusari-Lila ka thënë se absurde është edhe kërkesa e tyre që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të dorëzojë formalisht dorëheqjen, sepse atij i ka kaluar mandati.
“Tani sot insistimi ishte i vazhdueshëm thuajse në votimin e dy ditëve më parë nuk kishim kuorum. Kështu ishte interpretimi i vazhdueshëm i opozitës së deritashme. Insistimi sot që të shkohet në votim pa pasur konsultim ishte absurd dhe banal. Është absurde të thuhet se kryeministri duhet të dorëzojë formalisht dorëheqjen ose të jenë dy rreshta siç e kërkonin sot dhe dy ditë më parë. Pra dy rreshta se unë jam dorëhequr. Kryeministrit i ka përfunduar mandati. Nuk ka mandat në Republikën e Kosovës më gjatë se katër vjet. Përveçse në rrethana të jashtëzakonshme, si situata të katastrofave klimatike apo të tjera të agresionit nga një shtet tjetër. Në rrethanat aktuale, kryeministrit i ka pushuar funksioni si kryeministër me kompetenca të plota, është kryeministër në detyrë nga momenti kur është kryer katërvjeçari. Ndërsa, aktualisht çka po ndodh është që po e mban funksionin e kufizuar deri në momentin e konfirmimit të një qeverie të re, të kryesuar nga Kurti apo dikush tjetër”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila ka shtuar se insistimi i opozitarëve në këtë formalitet tregon se kanë për qëllim bllokimin e krijimit të institucioneve.
“Në këtë situatë, të lidhen me këtë formalitet, përveçse tregon një varfëri të mendimit, një varfëri të alternativës për qytetarët, por gjithashtu edhe një humbje të shpresës për çfarëdo përfshirje të tyre në jetën institucionale si pozitë dhe me çfarëdo që është e mundur ne do ta bllokojmë krijimin e institucioneve apo pozitën aktuale apo të ardhshmen, me fjalët e popullit i bie ‘për inat tim reje, vdektë im bir’”, ka shtuar ajo.
Derisa është pyetur për arritjen e koalicionit të mundshëm me Nismën Socialdemokrate, Kusari-Lila nuk e ka mohuar këtë, por as nuk dha shenja pozitive. Tha se për cfarëdo marrëveshje me partitë tjera, do të tregojë me kohë kryetari i LVV-së, Albin Kurti.
“Për këtë kur të vijë momenti i votimit dhe prezantimit të kandidatëve, ka pasur përgjegjës për bisedime e natyrisht edhe për arritjen e dakordimeve, është kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mendoj që në momentin kur z.Kurti të japë detajet e çfarëdo marrëveshje me të gjithë të tjerët, besoj se do t’i keni informatat edhe për partitë e tjera. Besoj se është e rëndësishme që ne të procedojmë në hapat që janë paraparë për seancën konstituive”, është shprehur ajo.