Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se drafti i Asociacionit të komunave më shumicë serbe i propozuar nga BE-ja në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, është i papranueshëm.
Kusari-Lila në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV ka theksuar ai ka probleme kapitale dhe se komentet e Kosovës nuk janë përfshirë në të.
“Drafti aktual mbetet i papranueshëm për Kosovën, se ka probleme kapitale përbrenda atij drafti, se Kosova ka dërguar komentet e veta të cilat nuk janë përfshitë, dhe se Kosova ka qenë dhe mbetet e interesuar që të gjejë një zgjidhje e cila nuk paraqet rreziqe ose mundësi për defunksionim të brendshëm të saj”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se në situatën aktuale ai draft nuk mund të dërgohet në Kushtetuese dhe se për këtë duhet të ketë vendim e ai të marrë vulën e Qeverisë.
“Qeveria nuk mund të vendos logon dhe vulën e saj mbi një dokument i cili në fakt nuk është i pranuar, Qeveria nuk është dakorduar me atë dokument, po i thuhet, po merre, bëje vendim tëndin”, është shprehur ajo duke shtuar se besojnë që drafti ka probleme përmbajtjesore.
LEXO EDHE:
Kusari-Lila: Kosova do të jetë anëtare e KiE-së para përfundimit të këtij viti
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur zhgënjyes mosanëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kusari-Lila në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV ka theksuar se mosfutja në agjendën e mbledhjes së Komitetit të ministrave të KiE-së, e anëtarësimit të Kosovës, javën e kaluar është vetëm humbja e një beteje dhe jo humbja e luftës.
“Rezultati është zhgënjyes për këtë fazë, megjithatë nuk është hera e parë për vendet që aspirojnë anëtarësimin ... megjithatë ky nuk është dështimi i fundit, nuk është se është mbyllur çdo gjë, kjo është një përpjekje e cila e tregon një betejë të humbur, por jo luftën”, është shprehur Kusari-Lila.
Por ajo ka thënë se beson që Kosova para përfundimit të këtij viti do të bëhet anëtare e kësaj organizate.
“Jemi të zhgënjyer, por besojmë se nuk është e përfunduar ose e mbaruar. Unë jam e bindur se do e gjejmë rrugën drejt anëtarësimit dhe nuk do të jetë situatë e njëjtë as me INTERPOL-in, as me UNESCO-n, jam e bindur se Kosova do të jetë anëtare e KiE-së shumë me herët, ndoshta edhe para përfundimit të këtij viti”, ka deklaruar shefja e deputetëve të pushtetit.
Ajo ka thënë se kushtëzimi me dërgimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese është i padrejtë.
“Përderisa kjo nuk ka ndodhur dhe është nxjerrë vetëm zbatimi i marrëveshjet për themelimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, dhe është insistuar dhe pastaj është bërë pjesë e procesit politik për Këshillin e Evropës më vonë, këtu është paraqitur një përzierje, një kusht i marrë nga një proces tjetër, dhe është vendosur në një proces tjetër”, ka theksuar Kusari-Lila.
Sipas saj vetë anëtarësimi në Këshillin e Evropës është garanci për komunitetin serb.
Ajo ka thënë se drafti i Asociacionit i propozuar nga ndërkombëtarët nuk pranuar si i vetëm, jashtë marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit.
“Kosova ka qenë e angazhuar dhe pjesëmarrëse në dialogun që ndodh në Bruksel, dhe natyrisht ka marr përsipër edhe obligimet edhe angazhimet, të gjitha përgjegjësitë, detyrimet që i ka për marrëveshjet e arritura më parë, megjithatë nuk është thënë se është thënë se Kosova ka pranuar një draft të vetëm nga të gjitha marrëveshjet e arritura, por ka thënë se Kosova pranon që marrëveshja e Brukselit e shkurtit të vitit 2023 dhe e Ohrit e marsit, pasuese e implementimit të nënshkruhen dhe palët marrin përgjegjësi për zbatimin”, ka thekuar Kusari-Lila.
Kusari-Lila flet për moskoordinimin mes Presidencës e Qeverisë për letrën dërguar KiE-së
Kusari-Lila ka folur edhe për mungesën e komunikimit në mes të Presidencës dhe Qeverisë për letrën që ministrja e Jashtme Donika-Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë së KiE-së, ku u zotua se Kosova deri në fund të muajit maj do ta hartoje dhe do ta dërgojë një draft ë Asociacionit në Kushtetuese.
Ajo ka thënë se ka pasur një lëshim në komunikim që nuk duhej të ndodhte
“Mendoj që me siguri, sipas të gjitha rrethanave është dashur që të ketë komunikime, presidentja ka qenë jashtë vendit, nuk i di detajet e fundit para dërgimit të letrës dhe pastaj reagimit të presidencës ... Për ne si deputet ishe lajm që nuk e prisnim, por natyrisht gjatë punës ka gabime, ajo është e paevitueshme, dhe sikur tani ta mohojmë se çdo gjë ka qenë në rregull është e tepër ose nuk është e saktë, duket se ka pasur një lëshim në komunikim që nuk duhej të ndodhte, në të dyja anët, nga qeveria në raport me letrën, nga Presidenca në raport me reagimin, nëse mund ta thuash ashtu, por në situatën e tillë”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Zgjedhjet e parakohshme varen nga uniteti i opozitës
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, ka folur edhe për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Sipas saj kjo do të mund të ndodh vetëm nëse brenda 7-8 ditësh do të shpërbehet Kuvendi.
“Nëse brenda 7-8 ditëve të ardhshme nuk kemi ndonjë datë për shpërndarje të Kuvendit, brenda këtyre dy javëve të ardhshme, atëherë do të kemi zgjedhje të rregullta, nëse ndodh shpërndarja e Kuvendit tani zgjedhjet do të mund të jenë në fund të qershorit, në fillim të korrikut, nëse nuk ndodh, dhe kjo do të varet nga sa unike do të jetë opozita, atëherë qeveria Kurti 2 do të ketë një mandat të plotë”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Por sipas saj opozita zgjedhjet po i përdor vetëm si formë të diskutimit publik.
“Duket se nuk duan zgjedhje, duket se e kanë, zgjedhjet i kanë si një far forme e diskutimit publik, por përbrenda kanë çështje të cilat i pengojnë për të pranuar procesin zgjedhor tani”, ka theksuar shefja e deputetëve të pushtetit.