Televizioni publik

Kusari akuzon VV-në se synon t’i punësojë njerëzit e vet në RTK, Manxhuka e cilëson absurditet

RTK

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po synon që t’i largojë 200 deri në 300 punëtorë nga Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) e t’i zëvendësojë me njerëz të vet. Këto pretendime janë mohuar nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Kusari ka hedhur akuzat para mbledhjes që Bordi i RTK-së pritet ta mbajë sot [e mërkurë].

Sipas juristes së medias, VV-ja po përpiqet t’i largojë punëtorët me arsyetimin e mospunës. Por siç thotë ajo, kjo është krejt kamuflim.

Kusari ka thënë se nëse ka mospunë atëherë duhet të jetë Bordi i RTK-së ai që jep dorëheqje.

“Nuk bën me largu njerëz nga RTK. Nuk citen në rrugë njerëzit që ia kanë kushtu RTK-së 2-3 dekada të jetës së tyre. Bordi është trupi përgjegjës për reformë dhe nëse ata konsiderojnë që reforma ka dështuar duhet urgjentisht të japin dorëheqje. Pa vonesë”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Kusari ka rekomanduar që Bordi i RTK-së, “në vend të urdhrave politikë”, të fokusohet në sigurimin e 16 milionë eurove dhe t’ia sigurojë pronën RTK-së.

Por Arlind Manxhuka, zëdhënës i VV-së, ka thënë se këto akuza po vijnë nga personat e njëjtë që e kanë lavdëruar punën e Bordit të RTK-së.

“Duket shumë absurde përveçse e pavërtetë. Nga të njëjtit që patën lavdëruar bordin që nga procesi i përzgjedhjes e deri te puna e tyre tash vijnë këso akuzash. Në këto rrethana në fakt ky është sulmi ndaj RTK-së. VETËVENDOSJE! nuk merr vendime për RTK-në. E kuptoj traumën nga mendësia në të kaluarën, por ajo epokë ka përfunduar”, ka thënë Manxhuka për KOHËN.

Shkrimi i Kusarit në Facebook: