Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për “ndërhyrje të frikshme politike” në pavarësinë e Komisionit të Pavarur për Media (KPM).
Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të premten u thirr një mbledhje urgjente, në të cilën u kërkua shkarkimi i Bordit të KPM-së shkaku i rikthimit të transmetimit të kanaleve “Arena Sport”, të cilat ishin ndaluar pasi kishin dhënë mesazhe glorifikuese për terroristët e Banjskës.
Por Kusari ka thënë se pavarësia e një institucioni do të thotë se vendimet merren sipas bindjeve dhe profesionalizimit të anëtarëve të atij institucioni.
“Dëgjimi "mbikëqyrës" për Komisionin e Pavarur për Media, i organizuar sot nga deputetët e VV-së të komisionit parlamentar për media, ishte ndërhyrje e frikshme politike në pavarësinë e KPM-së. Në dëgjim u përmend edhe iniciativa e VV-së për të shkarkuar anëtarët e pavarur të KPM-së. Tronditëse. Pavarësia e një institucioni kushtetues nënkupton që anëtarët i marrin vendimet sipas bindjeve dhe profesionalizmit të tyre, jo sipas tekeve të deputetëve. Thirrja me urgjencë e anëtarëve të KPM-së që t'i japin shpjegime deputetëve është njëjtë sikur deputetët t'i ftojnë gjykatësit t'i shpjegojnë vendimet e tyre në Kuvend”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Ajo ka përgëzuar anëtarët e KPM-së për prezantim profesional.
“I përgëzoj anëtarët e KPM-së për prezantimin profesional, për argumentimin fantastik ligjor dhe për ruajtjen e profesionalizmit derisa u sulmonin pa bazë dhe ashpër nga ana e deputetëve për konsum të votuesve. Jam krenare me prezantimin e shumicës së përbërjes së KPM-së. Të gjithë duhet ta mbrojmë KPM-në”, ka shkruar tutje Kusari.
Edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka dhënë lëvdata për paraqitjen e anëtarëve të KPM-së në dëgjimin e sotëm, ndërsa ka hedhur kritika ndaj deputetëve të VV-së, për të cilët thotë se vetë i kanë votuar anëtarët e këtij komisioni.
“Jeton Mehmeti, Kryetar i Komisionit të Pavarur për Media dhe shumica e anëtarëve tjerë të këtij Komisioni sot dëshmuan integritet, profesionalizëm dhe zbatim të Kushtetutës dhe ligjit në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme. Deputetet e LVV dëshmuan injorancë dhe ndëhyrje në pavarësinë e KPM. Injorancën dhe ndërhyrjën provuan ta paketojnë më patriotizëm dhe tradhëti kombëtare në mënyrën më primitive të mundshme. P.S. Të gjithë anëtarët e KPM janë emëruar nga LVV”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.