Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës, në pozitën e drejtorit të kanaleve shqip në RTK.
Kusari e cila e ka monitoruar procesin e përzgjedhjes, ka thënë se emërimi i tij është kapje e pjesës informative në RTK, nga pushteti.
“Aktivisti i LVV-së, Rilind Gervalla, u votua drejtor i televizionit publik të Kosovës, me tetë vota për dhe asnjë kundër. Kjo quhet kapje e pjesës informative nga partia në pushtet. Thellësisht e zhgënjyer që është humbur mundësia për depolitizimin e RTK-së”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Gërvalla është konsideruar aktivist i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Nga Bordi i RTK-së kanë thënë se ai nuk ka qenë pjesë e strukturave të këtij subjekti.
“Lidhur me raportimet që janë bërë, Administrata e RTK-së ka kërkuar nga subjekti në fjalë informacione nëse kandidati ka qenë pjesë e Këshillit Organizativ, apo ndonjë strukture tjetër, siç është cekur me ligj. Nga ai subjekt (Vetëvendosje v.j.) ka ardhur konfirmimi që i njëjti nuk ka qenë në këto struktura”, ka thënë për KOHËN, Besnik Boletini, kryetari i Bordit.
Ai ka theksuar se Gërvalla ka punuar në RTK nga viti 2000, por s’ka pasur pozitë menaxheriale.