Arbëri

Kurti: Vrasja e policit Lika do të ndriçohet

Albin Kurti - Muhamed Lika

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vrasja e policit Muhamed Lika në Kaçanik më 1 prill, do të ndriçohet dhe se vrasësit do të dënohen.

Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit është thënë se Kurti i shoqëruar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme kanë vizituar për ngushëllime familjen e rreshterit të vrarë të martën.

Kurti ka vlerësuar kontributin e Likës për rendin e ligjin dhe si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Rreshteri Muhamed Lika ka punuar e kontribuar shumë për rendin e ligjin, paqen e sigurinë e qytetarëve dhe shtetit tonë. E para kësaj, është angazhuar e ka kontribuar si luftëtar i UÇK-së për çlirimin e popullit dhe vendit tonë. Vrasja e tij do të ndriçohet e kriminelët tinëzarë do të gjykohen e dënohen. Emri i tij do të rrojë e kujtimi për të nuk do të shlyhet”, ka shkruar Kurti në librin e ngushëllimeve.

Lika u vra në hyrje të banesës së tij në Kaçanik të martën. Deri tash s’ka të dyshuar, ndërsa provat, sipas Prokurorisë, kanë treguar se vrasja është kryer nga dy persona.