Arbëri

Kurti: Vlerësojmë lart kontributin që Turqia jep për ruajtjen e stabilitetit rajonal

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e pandalshme të Turqisë ndaj Kosovës, veçanërisht në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

Kurti më tej ka thënë se ka vlerësuar lart kontributin që Turqia jep në ruajtjen e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon, por në vend dhe përmes kontingjentit të trupave në kuadër misionit të KFOR-it.

“E ndërmjet dy takimeve, vizituam dhe vendosëm kurorë me lule në Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk, një prej liderëve më të mëdhenj dhe historik të botës që në kohë dhe rrethana shumë të vështira arriti të mbrojë popullin e tij dhe të themelojë Republikën e Turqisë, dhe në të njëjtën kohë të trasojë atë që është e mira për shoqëritë, pra paqen si racionalitet politik”, ka shtuar Kurti në postimin e tij në Facebook.

Kurti tutje ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë vetëm sa thellohen.

“Ndërkohë që punojmë bashkërisht në fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Në këtë drejtim, një hap i rëndësishëm do të jetë dhe zhvillimi i forumit të parë ekonomik të bizneseve të Kosovës dhe Turqisë, që do të mbahet të hënën në Stamboll”, është shprehur ai.