Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar të mërkurën se në Planin evropian ka Asociacion të komunave me shumicë serbe.
Ai ka deklaruar se brenda aneksit të të zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, ka Asociacion, meqë neni 10 thotë se të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara që ngelen valide dhe të obligueshme.
“Ka Asociacion, neni 10 thotë se të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara që ngelen valide dhe të obligueshme. 39 marrëveshje janë prej 2 korrikut 2011 deri më 25 gusht 2015. Ta zëmë po i përmendi dy prej tyre: marrëveshja për kthimin e librave kadastral që është marrëveshja numër 5, ndërsa ajo për marrëveshja ku 6 pikat e para janë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është marrëveshja e 16 e cila në muajin që vjen i mbushë 10 vjet. Ka shumë marrëveshje që duhet t’i trajtojmë me kujdes. Propozimi evropian është njohje defakto”, është shprehur ai.
Kurti: Vetëmenaxhimi i komunitetit serb, brenda sistemit kushtetues
Kurti ka shtuar se vetëmenaxhimi i komuniteti serb në Kosovës nuk nënkupton vetadministrim dhe as vetëqeverisje.
Derisa është deklaruar rreth nenit 7 të ankesit të zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhnieve, Kurti ka thënë se vetëmenaxhimi i komunitetit serb do të ndodhë brenda sistemit kushtetues.
“Besoj që edhe niveli i përshtatshëm i vetëmenaxhimit të komunitetit serb ën Kosovë do të mund të zgjidhet për të mirën e të gjithë serbëve pa rrezikuar rendin juridik e kushtetues të Kosovës, duke i shërbyes demokracisë por natyrisht edhe duke i pranuar ofertat që i bëj unë. Vetëmenaxhim nuk është vetëadministrim, nuk është vetëqeverisje. Është vetëmenaxhim. Dhe këtu thotë vetëmenaxhim i komunitetit serb, jo i komunave me shumicë serbe dhe e kam thënë në Kuvend se nga pikëpamja ime që do të mund të konfirmohet nga cilido jurist serioz i të drejtës ndërkombëtare, që kur thua vetëmenaxhimi i komunitetit serb në fakt e ke si instrument marrëveshjen kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, ka thënë ai të mërkurën në RTK.
Ai ka shtuar se më 18 mars ka paraqitur tri shtylla të cilat duhet të pranohen në mënyrë që ai ta japë modelin për vetëmenaxhim.
“Më 18 mars, nëse i pranojmë këto tri shtylla, unë ua sjell modelin, por nuk është në rregull të kërkohet modeli prej meje në detaje të përmbajtjes nëse nuk pranohet parimi. Nëse do të kishim dakordim për këto tri shtylla kushtetueshmëria republikane, demokratike e jona dhe vlerat, qëndrimi amerikan dhe qëndrimi evropian kur i pranon këto unë e japë modelin”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, mosnënshkrimi nga ana e Serbisë nuk lidhet me mospasjen e një marrëveshjeje, por me mungesën e vullnetit të saj për ta zbatuar.
“Tashmë kanë dhënë indikacione të qarta dhe edhe fakte se po bëjnë shkelje të marrëveshjes. Pres nga BE-ja e SHBA-ja që sjelljen destruktive të Serbisë ta gjykojnë dhe ta dënojnë. Unë i lexoj mirë tekstet dhe kur shoh që ka nocione universale, natyrisht se jam konstruktiv. Gjithmonë kërkoj më shumë se që është ofruar sepse mendoj se na takon më shumë. Nuk na vendosen mure por na hapen shtigje, unë kam pranuar ta nënshkruaj këtë dhe me këtë rast është shpërfaqur destruktiviteti i Serbisë. Edhe propozimi i parë i 9 shtator, edhe propozimi i dytë i 6 dhjetorit edhe aneksi i dakorduar më 188 mars ne na vendos në pozicion simetrik. Nëse ne nuk jemi në pozicion të barabartë është në pozicion politik. Sa i përket tekstit dhe negociatave në këto bisedime të dialogut prej se marr unë pjesë, pabarazi nuk ka mundësi që të ketë në proces”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se nuk mund të normalizohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë pa u adresuar krimet e kryera gjatë luftës.
“Për bindjen time të fuqishme, tejkalimi, ballafaqimi me trashëgimin e së kaluarës është një nocion gjenerik që duhet të përkthehet në shumë gjëra që janë problematike midis dy vendeve tona. Nuk mund të normalizohen marrëdhëniet pa u adresuar krimet e kryera gjatë luftës dhe shumë çështje të tjera që nuk lidhen me luftën. Tashmë në aneks e kemi me urgjencë çështjen e të pagjeturve”, është shprehur ai.
Kurti: Kosova është në pozicion të favorshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është në pozicion të favorshëm në bisedimet me Serbinë.
Me këtë rast, sipas tij, Kosova nuk ka nevojë të qëndrojë në defensivë.
“Unë jam në pozicion të favorshëm gjithmonë. Tash është edhe Kosova në pozicion të favorshëm në këto bisedime. Kosova nuk ka nevojë të jetë në defanzivë. Prandaj për shkak se Kosova e ka tekstin e favorshëm, bëhet gjithë kjo luftë kundër Kosovës me ofansivë politike, joparime, të padrejtë”, ka thënë ai.
Sa i përket formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe, Kurti ka shprehur interesim që të bashkëbisedojë hapur me patriarkun dhe se për këtë çështje nuk do të duhej të flistë presidenti i një vendi sekular.
“Për formalizimin e statusit, jam i interesuar të bashkëbisedojmë hapur me partiarkun. Nuk ka kuptim që një institucion religjioz të përfaqësohet nga një president i një shteti sekular. Kam ofruar dialog të drejtpërdrejt, por ajo që më është thënë aty është se ata refuzojnë të takohen me mua. Nuk mendoj se janë duke vepruar mençur. Jam i hapur për dialog”, ka thënë ai.
Kurti: Po hedhin zall në rrotat tona të qeverisjes së mirë
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se ka zëra kundër luftës së tyre ndaj korrupsionit.
Këtë vlerësim ai e dha duke thënë “po hedhin zall në rrotat tona të qeverisjes së mirë”.
Megjithatë, sipas tij, kjo është vetëm vonim i reformave sepse punët nuk do të ndalen.
“Ka zëra kundër luftës sonë kundër korrupsionit, por gjërat po ecin. Tash është e vërtetë që kanë shkuar në Gjykatë Kushtetuese edhe ky ligji i kaluar në Kuvend për Byronë, por duhet ta keni parasysh se ky është vetëm vonim i reformave. Po na hedhin rërë, zall, nëpër rrotat tona të ecjes së qeverisjes së mirë demokratike progresiste. Po na vonojnë dhe është për të ardhur keq mirëpo nuk kemi çfarë të bëjmë. Shpresoj që Gjykatat duhet të jenë më efikase, por Prokuroria dhe gjyqësori në Kosovë mund të bëjmë më shumë dhe më mirë”, ka thënë ai.