Arbëri

Kurti: Vaji në Kosovë më i shtrenjti në botë, çmimet duhet të shfryhen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet të ketë “shfryrje të çmimit të vajit të lulediellit” për të cilin ka deklaruar se në Kosovë sot është me çmimin më të lartë në botë.

Pas vizitës në fabrikën e vajit “FLOIL” në Gjilan, Kurti ka thënë se rafineria e vetme në vend ka në stoqe edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, që sipas tij, pas përpunimit do të mjaftojnë për një muaj konsum në Kosovë.

Ai ka thënë se ndërkohë Qeveria do të angazhohet për bashkëpunim me shtete partnere që të sjellin lëndën e parë për ripërpunim.

Arritjen e çmimit të një litre vaji në 3.5 euro, Kurti e ka cilësuar ngritje artificiale.

“S’është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje. Po të ishte çmimi 3.5 euro do të thoshim ngritje e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve po na njoftojnë qytetarët e republikës me fotografi të rafteve. Çmimi identik 3.49euro. 3.5 do të ishte rastësi, por 3.49 jo. Rastësi kjo përputhje anembanë Kosovës si fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve”, ka thënë ai.

“S’ka arsye për fryrje të tillë. Aktualisht çmimi i vajit është më i larti në botë. Bëhet fjalë për fryrje të çmimeve nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në vend. Këto duhet të shfryhen. Unë besoj se kjo që thash tani, se i kemi 300 mijë litra vaj të papërpunuar këtu është më se e mjaftueshme që të gjithë ta kuptojnë se s’ka vend për panik”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se Qeveria do të marrë masa nëpërmjet inspektimeve, por ka shtuar se më i rëndësishëm është parandalimi i dëmeve që tashmë po shkaktohen.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se po punohet në rritjen e numrit të inspektorëve të tregut, ndërsa nga kompania “FLOIL”, pronari ka thënë se vaji prej fabrikës shitet me çmim 1.95 euro për litër, ndërsa pas TVSH-së çmimi bëhet 2.1 euro. Edhe ai ka shprehur shqetësimin për ngritjen e çmimeve në treg, duke shtuar se nuk duhet të shfrytëzohet vakumi në treg.

“Më shumë është panik dhe po konsumohet më shumë se që duhet. Duke e pa këtë rafineri, është e ekzagjeruar kjo. Mos u shqetësoni sepse s’ka hapësirë për shqetësim. Kemi sasi të mjaftueshme për edhe këtë muaj e më pas do të gjejmë zgjidhje”, ka thënë ai.