Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kryeministri nuk është për të themeluar asociacione, pasi sipas tij, kjo është detyrë e komunave.
Para mediave, Kurti ka deklaruar të martën se do të ishte imponim ndaj komunave nëse do të kishte themelim të ndonjë asociacion nga ekzekutivi.
“Kryeministrat nuk formojnë asociacione të komunave, komunat ofrohen e bashkëpunojnë. Ne e kemi një asociacion të komunave, nëse dikush e dëshiron një tjetër, kjo duhet të bëhet nga komuna. Nuk formon kryeministri asociacion, as nuk i themelon. Komunat asociohen me njëra-tjetrën. Nëse kryeministri themelon, kjo do të ishte imponim ndaj komunave. Asocimi është liri dhe e drejtë, këtë s’e bëjë unë, aq më pak ndonjë shtet fqinj që mund të ketë pretendime të tilla”, ka theksuar ai.
Kurti ka deklaruar se më 18 mars të 2023-s ishte shprehur i gatshëm të shkruante draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por shtoi se “jam refuzuar dhe më është thënë se këtë duhet ta bëjë një ekip menaxhues”.
Kurti ka kërkuar që sa më parë të dorëzohet kryeterroristi serb, Milan Radoiçiq.
Për dialogun me Serbinë në Bruksel, Kurti ka thënë se diskutimet po dështojnë për shkak se pala serbe është dekonstruktive dhe nuk jep propozime.
“...Për planin e sekuencimit i kemi dhënë 3 propozime,...Serbia kurrë nuk jep propozime. Përpos që janë jobashkëpunues e mosbesues, por janë edhe destruktivë në mënyrë aktive, prandaj i kemi këto rezultate. Nuk është mirë të thuhet po dështon diskutimi në dialog, po dështojnë diskutimet për shkak të qëndrimit të Serbisë. S'mjafton të konstatojmë dështimin...”, ka thënë Kurti.
E, për procesin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti ka s’do të ngreh hipoteza pa e kuptuar rezultatin final.
“...S'kam ndonjë gjë për të thënë. T'i shohim rezultatet dhe më pastaj t'i shohim përzgjedhjet që bëhen nga ana e kandidatit që fiton. S'do të doja të bëja gjimnastikën cerebrale të hipotezave”.