Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen të dielën (nesër).
Kurti ka bërë të ditur se në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 37 mijë e 759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore, ndërsa për 29 vendet në Këshillin Kombëtar Shqiptar garojnë katër lista me gjithsej 107 kandidatë.
“Ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, pas më shumë se një dekade gjatë së cilës kishte vetëm 15 anëtarë. Sipas Kurtit, kjo është bërë e mundur pas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.
Kurti ka rikujtuar se Këshilli ka kompetenca publike në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.
“Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje”, ka deklaruar ai.
Edhe
Kurti u bën thirrje shqiptarëve në Luginë që të votojnë: Secila votë ka peshë
Kryeministri ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë, si dhe mbështetjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.
“Për të drejta të barabarta dhe për të ardhmen në vendlindje!”, ka përfunduar Kurti.