Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga ndihmëssekretari i Shtetit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjet evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien, i është konfirmuar mbështetja e së SHBA-së për Kosovën.
“Kënaqësi për takimin me ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, O’Brien, i cili konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën. Diskutuam për përparimin e shpejtë ekonomik dhe demokratik të Kosovës – të njohur gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare – dhe unë përsërita përkushtimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO si objektivat tona kryesore strategjike”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Takimi është zhvilluar në Paris, ku Kurti po qëndron në kuadër të Forumit të Paqes.
Gjatë ditës, Kurti në fjalimin e tij në këtë forum ka thënë se Kosova përballet me kërcënime për sigurinë nga jashtë, veçanërisht nga Serbia.