Arbëri

Kurti: Thirrjet e opozitës janë për pezullim të shtetit

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se thirrjet e opozitës për të mos shkuar në zyrë të kryeministrit, për shkak të certifikimit si deputet, janë “thirrje për pezullim të shtetit”. Tek ka komentuar arsyetimin e opozitës se Kurti dhe kabineti i tij nuk janë dorëhequr nga postet qeveritare që të bëhen deputetë, Kurti ka thënë se është i dorëhequr që nga 23 marsi kur ka përfunduar mandatin e rregullt.

“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve. Ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Ne jemi në detyrë dhe i dorëhequr efektivisht që nga 23 marsi kur e kemi përmbyllur mandatin e rregullt dhe të plotë 4-vjeçar. Nga ajo ditë e deri te legjislatura e re qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Kurti teksa ka shtuar se për statusin e qeverisë e ka njoftuar me letër edhe kryeparlamentarin e deritashëm.

“Më shumë se kaq, nuk është e mundshme të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucioneve”, ka thënë ai teksa e ka quajtur thirrjen e opozitës “të pamatur” e me qëllim “për ta lënë shtëpinë pa zot shtëpie”.

Ai ka thënë se Ligji për Qeverinë e sqaron që qeveria në dorëheqje duhet të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Në kuadër të kësaj ka thënë se është edhe mbledhja e të mërkurës.

“S’ka ndalim funksionimi. Shteti s’mund të ketë vakuum qeverisje. Qeveria s’mund të ketë ndalesë funksionimi”, ka shtuar Kurti, teksa ka marrë si shembull zgjedhjen e ish-kryeministrave Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj që kanë vazhduar për disa muaj rolin e kryeministrit në dorëheqje.

“I siguroj qytetarët që përtej zhurmës institucionale e disa mediave të ish-regjimit dhe të oligarkëve, e që kanë shkuar aq larg sa që e kanë regjistruar biznesin në Serbi, Republika e Kosovës po ecën përpara në ekonomi e demokraci me rend e siguri e paqe për të gjithë”, ka thënë tutje ai.

Një ditë më parë, deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kaluan raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe të mandateve. Si rrjedhojë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës. PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja kanë votuar kundër raportit. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. Anëtari i Komisionit nga LDK-ja, Aremnd Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit, pasi “nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”.

Pas verifikimit të mandateve, në rend dite seanca pati betimin e deputetëve e më pas zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca konstituive nuk mund të ndërpritet më gjatë se 48 orë.

Në mbledhje, Qeveria vendosi t’i ndajë 10 milionë euro hua për Telekomin dhe themeloi grupin koordinues dhe intervenues për “mishngrënësit e mëdhenj: Ariun e murrmë, rrëqebullin ballkanik si dhe ujkun”.