Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Për herë të parë folëm për emra të përveçëm, negocimi është i vështirë

kk

Foto: Driton Paçarada

Përditësim - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë dhe se për herë të parë është diskutuar për emra të përveçëm për një president konsensual. 

“Diskutimi ishte i hapur, serioz, i sinqertë. Do të vazhdojmë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi biseduar me dhe për emra të përveçëm. Tash negocimi është shumë i vështirë sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht, shumësia e emrave që trajtohen shtohet atëherë kur njërit prej bashkëbiseduesve në radhën kur ka fjalën sjell emër të ri dhe argumenton për filan personin e pastaj duhet të dëgjojë të tjerët çfarë mendojnë për atë person. Por lista zvogëlohet kur është e qartë se nuk mund të ketë dakordim për emër të përveçëm”, tha kryeministri në detyrë, Kurti. 

Kurti ka thënë se emrat që janë përmendur nuk janë pyetur paraprakisht se a do të pranonin apo dëshironin të jenë president apo presidente. 

“Paraprakisht duhet të dakordohemi ne andaj në këtë fazë nuk mund të flasim konkretisht për emra të përveçëm që sot për herë të parë jemi duke i trajtuar si emra për president të mundshëm”, tha Kurti. 

Kryeministri në detyrë Albin Kurti thotë se nuk beson që është shkelur Kushtetuta kur nuk është konstituuar Kuvendi 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve e po ashtu edhe me mosthirrjen për vazhdimin e seancës konstituive. 

Kurti pas takimit me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kushdo që ka dyshime mund t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese. 

“Kushdo që konsideron se ka pasur shkelje kushtetuese, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e kanë dhënë betimin, ata janë deptuetë të Republikës së Kosovës ndonëse s’ka Kuvend të konstituuar. Mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e ndaloj, por as nuk e inkurajoj askënd ta bëjë këtë. Na duhet marrëveshja politike, nuk besoj se po e shkelim Kushtetutën. Kush dyshon për këtë gjë, mund t’i eliminojë dyshimet duke i adresuar çështjet te Gjykata Kushtetuese”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se vitin e kaluar konstituimi i Kuvendit u bë gjashtë muaj pas zgjedhjeve. 

“Prej 9 shkurt deri më 26 gusht janë më shumë se 6 muaj. Tash janë më pak se tre muaj prej zgjedhjeve”, tha Kurti. 
 


Kryetari i VV-së,  Albin Kurti, është pyetur nëse është pro idesë që nëse lirohet Hashim Thaçi nga Haga të zgjedhet president. Ndërsa ka shprehur dëshirë për lirimin e tij, Kurti ka theksuar se negociatat tani janë me LDK-në dhe se ky proces është politik dhe jo proces i drejtësisë.

Kurti tha se beson në luftën e UÇK-së dhe shpreh dëshirën që ish-krerët të lirohen, por tha se negociatat për Presidentin me LDK-në janë një proces i ndarë.

"Lufta çlirimtare e popullit bartëse dhe organizatore e të cilës ishte UÇK është luftë e drejtë, çlirimtare, kundërokupatpre dhe nuk ka proces gjyqësor as në vend as jashtë që mund ta njollosë UÇK. Shpresojmë më të mirën dhe dëshirojmë të na kthehen në Kosovë të lirë, besojmë në pafajësinë e tyre. Procesi i negociatave me LDK për kandidatin për presidentin është i ndarë, politik dhe jo i drejtësisë", deklaroi ai. 
 


Kurti optimist para takimit me Abdixhikun

Ka nisur takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. 

Para takimit, Kurti u ka thënë mediave se takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur së bashku një emër për presidentin e ri.

Ai ka theksuar se palët do të jenë të hapura për procesin, por ka kërkuar që bisedimet të mbeten konfidenciale deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje na duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në takim sot”, është shprehur ai. 

Takimi, që për synim ka gjetjen e një presidenti konsensual, ka nisur nga ora 18:00. Me Abdixhikun është edhe ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. 

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës ka deklaruar se janë përcaktuar emrat që do të propozohen për president nga Lëvizja Vetëvendosje. 

“Lëvizja Vetëvendosje unë vetëm po them që është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin pastaj procesi i negociimit. Edhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati sepse javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha që kjo javë do të jetë java në të cilën ata do të takohen. Me sa kam marrë vesh unë, në Vetëvendosje kryeministri Kurti ende nuk ka një ftesë nga apo një diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Po kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku, ka thënë: “këtë javë”. Prandaj ne jemi në pritje e sipër që kjo të ndodhë. Dhe kur kjo të ndodhë, atëherë unë mendoj që do të jetë shumë afër marrëveshja për presidentin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca. 

 

Abdixhiku: Emrat e prezantuar janë në vijë me parimet e dakorduar

4 o. më parë / 26 gus 2026 20:56
la

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se emrat e prezantuar për president në takimin me kryetarin e Vetëvendosjes, janë në vijë me “parimet e dakorduara”. 

"Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them se të gjithë emrat dikush më shumë e dikush më pak është në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim lë të themi se ky është një hap përpara", ka theksuar ai pas takimit.

Abdixhiku ka shtuar se takimet do të vazhdojnë për përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm. 

"Nuk mund të diskutojë për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të përzgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës".

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ende është në paqartësi të thella kushtetuese sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe se të vetmen gjë që mund ta bëjë tani është të ndihmojë te çështja e presidentit. 

"LDK-ja është garancë institucionale. LDK-ja as nuk e konstitucion Kuvendin vetvetiu, as nuk e thërret seancën e Kuvendit, për LDK-në jemi në paqartësi të thella kushtetuese, gjënë e vetme që mund ta bëjë është që të jetë e arsyeshme për zgjedhjen e presidentit. Por nëse dikush ende beson se LDK-ja është vagon i ndonjë partie tjetër, kohët kanë ndryshuar shumë. LDK-ja është e LDK-së, mësohuni me një LDK të tillë. Dhe LDK-ja në këto diskutime flet me bindje të plotë për atë që përfaqëson historikisht 37 vjet".